Hoxha nga Forumi Strategjik i Bledit: Zgjerimi do ta bëjë BE-në më të fortë, më të sigurt dhe më të bashkuar

01 Sep 2026 16:31
Shpërndaje:

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka deklaruar se zgjerimi i Bashkimit Europian duhet të mbetet një proces i bazuar në meritë, duke theksuar se ruajtja e besueshmërisë dhe ritmit të negociatave është thelbësore për suksesin e tij.

Hoxha i bëri komentet gjatë pjesëmarrjes në Forumin Strategjik të Bledit, ku ishte pjesë e panelit me temë “Zgjerimi si Mjeti i Ardhshëm Gjeopolitik i Europës”, së bashku me Komisioneren Europiane për Zgjerimin, Marta Kos.

Ministri theksoi se Shqipëria ka ndërmarrë reforma të rëndësishme dhe zgjedhje të vështira në rrugën drejt anëtarësimit, ndërsa mbetet e angazhuar për forcimin e institucioneve demokratike.

Reklamë Ola

“Ne kemi bërë dhe po bëjmë zgjedhje të vështira, kemi ndërmarrë reforma të gjera dhe mbetemi plotësisht të angazhuar në fuqizimin e institucioneve demokratike”, deklaroi Hoxha.

Sipas tij, Shqipëria nuk e sheh veten vetëm si një përfituese të ardhshme të projektit europian, por synon të jetë një kontribuuese aktive në Bashkimin Europian.

Reklamë InterMedika

“Anëtarësimi në BE është njëkohësisht një aspiratë dhe një ofertë. Ne kërkojmë përfitimet e përkatësisë, por jemi po aq të gatshëm të kontribuojmë në forcën, konkurrueshmërinë dhe sigurinë e Unionit të cilit do t’i bashkohemi”, nënvizoi ministri.

Hoxha u ndal gjithashtu te rëndësia strategjike e procesit të zgjerimit, duke argumentuar se historia e Bashkimit Europian ka treguar se pranimi i vendeve të reja e ka bërë Unionin më të fortë dhe më me ndikim.

“Historia ka treguar se çdo raund zgjerimi e ka bërë Bashkimin Europian më të fortë, më të begatë dhe më me ndikim”, tha ai.

Sipas ministrit të Jashtëm, zgjerimi i ardhshëm nuk do të jetë ndryshe, veçanërisht në kushtet e sfidave aktuale gjeopolitike me të cilat përballet Europa.

“Përkundrazi, në mjedisin gjeopolitik të sotëm, është një investim strategjik në një Europë më të fortë, më të sigurt dhe më të bashkuar”, përfundoi Hoxha.