Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, është takuar me Nënsekretaren amerikane të Shtetit për Çështjet Politike, Allison Hooker, në margjinat e Forumit Strategjik të Bledit, ku në fokus të diskutimeve ishin partneriteti strategjik Shqipëri-SHBA, bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Në një postim në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se takimi ishte vijim i diskutimeve të zhvilluara mes palëve në Uashington gjatë muajit korrik.
“Ishte kënaqësi të takohesha me Nënsekretaren e Shtetit për Çështjet Politike, Allison Hooker, në margjinat e Forumit Strategjik të Bledit”, shkroi Hoxha.
Sipas ministrit, gjatë takimit u riafirmua rëndësia e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe angazhimi i përbashkët për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të ndërsjellë.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri, si dhe angazhimeve të përbashkëta në kuadër të NATO-s. Hoxha theksoi se palët diskutuan veçanërisht për bashkëpunimin pas Samitit të Aleancës në Ankara dhe përpara Samitit të ardhshëm të NATO-s në Shqipëri.
“Shkëmbyem mendime mbi bashkëpunimin në mbrojtje dhe siguri, si dhe mbi bashkëpunimin tonë brenda NATO-s, veçanërisht pas Samitit në Ankara dhe përpara Samitit të ardhshëm të Aleancës në Shqipëri”, deklaroi ministri.
Në takim u diskutua gjithashtu situata e sigurisë dhe zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor. Sipas Hoxhës, Shqipëria dhe SHBA-ja riafirmuan rëndësinë e vijimit të angazhimit në mbështetje të stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
Kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi se marrëdhëniet mes dy vendeve mbështeten në vlera të përbashkëta demokratike, solidaritetin transatlantik dhe angazhimin e përbashkët në fushën e sigurisë.
“Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara janë të bashkuara nga një partneritet i gjatë i rrënjosur në vlerat e përbashkëta demokratike, solidaritetin transatlantik dhe një angazhim të përbashkët për sigurinë”, shkroi Hoxha.
Ministri shtoi se Tirana dhe Uashingtoni synojnë të vazhdojnë dialogun dhe bashkëpunimin e ngushtë, duke u përqendruar në rezultate konkrete që avancojnë interesat e përbashkëta dhe sjellin përfitime për të dy vendet.


