Holanda ashpërson kufizimin e pjesshëm anti COVID-19



Holanda do të ashpërsojë kufizimin e saj të pjesshëm në një përpjekje për të kundërshtuar pandeminë e COVID-19, njoftoi sot kryeministri holandez, Mark Rutte, duke u bërë thirrje qytetarëve të ulin në mënyrë drastike lëvizjet e tyre.
“Gjërat nuk po shkojnë keq, por as mirë. Qëndroni në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur. Mos bëni blerje për argëtim”, tha Rutte.
“Numri i rasteve duhet të ulet sa më shpejt. Ky është një mesazh i vështirë, por nuk ka zgjidhje tjetër”, shtoi kreu i qeverisë.
Të gjithë muzetë, kinematë, kopshtet zoologjike, si edhe vende të tjera të hapura për publikun do të mbyllen.
Sipas rregullave të reja më të ashpra, jo më shumë se dy persona lejohen të takohen në publik, nga një kufi i mëparshëm prej katër vetash.
Në shtëpi, banorët janë të ndaluar të kenë më shumë se dy të ftuar në çdo ditë të caktuar.
Përveç kësaj, qeveria u ka kërkuar qytetarëve të përmbahen nga udhëtimet jashtë vendit deri në mes të janarit.
Masat e reja do të qëndrojnë në fuqi, fillimisht, për dy javë.
Eunews.al
