×
Monday, May 11, 2026

Guterres: Është koha për diplomaci, jo për përshkallëzim në Lindjen e Mesme

April 14, 2026


Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres deklaroi sot se është momenti për diplomaci dhe vetëpërmbajtje, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta, sipas BBC.

Duke folur për mediat në Nju Jork, Guterres u shpreh se ekzistojnë sinjale se bisedimet mes Iranit dhe SHBA-së mund të rifillojnë brenda dy ditëve të ardhshme, duke shtuar se kjo është “shumë e mundshme”.

Në lidhje me negociatat mes Izraelit dhe Libanit, ai theksoi se askush nuk pret që ato të zgjidhin të gjitha problemet menjëherë, por i cilësoi si “shumë të rëndësishme” për krijimin e kushteve që mund të ndryshojnë situatën.

Guterres paralajmëroi gjithashtu për shkelje të theksuara të së drejtës ndërkombëtare, duke theksuar se ajo po “shkelet në mënyrë flagrante”, veçanërisht në Lindjen e Mesme.

Ai kritikoi faktin se shumë aktorë po “mbyllin sytë” përballë drejtësisë, ndërsa rregullat mbi përdorimin e forcës po shpërfillen dhe civilët po ekspozohen ndaj “dëmeve të papranueshme”.

Sipas tij, e drejta ndërkombëtare zbatohet për të gjitha shtetet pa përjashtim dhe duhet të respektohet urgjentisht në këtë konflikt.

Ai bëri thirrje për rifillimin e “negociatave serioze”, si dhe për ruajtjen dhe zgjatjen e armëpushimit aty ku është e nevojshme.

Në përfundim, kreu i OKB-së nënvizoi se të gjitha palët duhet të respektojnë liritë dhe të drejtat ndërkombëtare të lundrimit, përfshirë ato në Ngushticën e Hormuzit.

“Është koha për vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi. Është koha për diplomaci, jo për përshkallëzim. Është koha për një angazhim të ri ndaj së drejtës ndërkombëtare”, tha Guterres. 




Comments are closed.