“Greqia në epokën e dronëve” me 1 mijë prodhime në vit, Mitsotakis: Mbrojtjen duhet ta trajtojmë si të mirë publike evropiane


Greqia ka hyrë në një fazë të re teknologjike të mbrojtjes. Në bazën e 306-të të Telekomunikacionit në Aharnes tashmë prodhohen mbi 1.000 dronë në vit, të krijuar nga inxhinierët e Forcave të Armatosura.
Bëhet fjalë për modele të vogla (FPV- First-Person View), por edhe njësi të mëdha për zbulim, vëzhgim dhe mbështetje taktike, ndërsa për herë të parë ato mund të prodhohen edhe në stacione portative që mund të veprojnë pranë vijës së parë të frontit.
“Ne kemi lançuar dy prototipa stacionesh portative të prodhimit të dronëve, të cilët do të shfaqen për herë të parë në paradën e 28 tetorit në Selanik. Dhe ato janë ndërtuar për të ndjekur njësitë tona të mëdha ushtarake. Domethënë, për të qenë në gjendje të prodhojnë dronët e modeleve të vogla( FPV) në terren”, deklaroi ministri i mbrojtjes, Nikos Dendias.
Siç ka theksuar ministri grek i Mbrojtjes që ka vizituar bazën, këta dronë të prodhimit vendas janë simbol i një ushtrie që po futet me shpejtësi në epokën e inteligjencës artificiale dhe këto zhvillime e pozicionojnë Greqinë në pararojë të prodhimit evropian të mjeteve pa pilot, në një moment kur siguria kontinentale po rimendohet.
Në të njëjtën kohë, nga samiti njëditor I Brukselit, në një moment përshkallëzimi dramatik të presionit transatlantik mbi Moskën, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka kërkuar nga BE të krijojë një mekanizëm të përbashkët huamarrjeje për të financuar investime të përbashkëta në mbrojtje, siç janë sistemet antiajrore, dronët dhe teknologjitë e reja ushtarake.
“Dua të shpreh gjithashtu kënaqësinë time sepse iniciativat greke, të cilat u prezantuan pak kohë më parë, siç është një mburojë e përbashkët antiraketë për BE, duket se po fitojnë vrullin e tyre dhe janë përfshirë në planin e Komisionit Evropian”, tha kryeministri Mitsotakis.
Në një intervistë për portalin e madh Politico sot, Mitsotakisn tha se mbrojtja duhet të trajtohet si “e mira publike përfundimtare evropiane” dhe se duhet të përdoren paratë evropiane për të bërë gjëra që shumë shtete anëtare mund të mos jenë në gjendje t’i bëjnë në nivel kombëtar.


