×
Sunday, October 5, 2025

Gjermania “nuk i beson” BE-së, kërkon shtrëngimin e emigracionit, samit në Mynih

October 4, 2025


Ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt e ka kthyer në prioritet të tij kufizimin e emigracionit. Ai nuk i beson shumë për këtë BE-së, prandaj ka ftuar disa homologë të tij për bisedime në Mynih.

Sipas dikasterit që ai drejton ky është vetëm një “takim pune” dhe nuk është planifikuar ndonjë deklaratë përfundimtare. Takimi synon të hapë rrugën për të ashtuquajturat qendra kthimi, pohon Dobrindti.

Këto qendra do të strehojnë azilkërkues të refuzuar nga Evropa që nuk mund të kthehen në vendet e tyre të origjinës, tha ai për “Münchner Merkur”. Ata duhet të vendosen sa më afër vendeve të tyre të origjinës. Për qendra të tilla po punohet tashmë në nivelin e BE-së, por ministri Dobrindt nuk është i kënaqur dhe tha se nuk mund të mbështetet te BE-ja për të krijuar “qendra të tilla kthimi”.

Sipas ideve të tij disa shtete anëtare të BE-së duhet të jenë në gjendje të marrin përsipër një rol drejtues në këtë çështje. Organizatat e refugjatëve njoftuan protesta kundër takimit dhe masave ashpërsuese të diskutuara, teksa kritikuan “instrumentalizimin e politikës së migracionit për çekuilibra socio-politikë dhe për përjashtim racist”.

Sipas Ministrisë  të Brendshme Federale në takimin e Mynihut pritet të marrin pjesë përveç ministrave të Brendshëm të Polonisë, Italisë, Luksemburgut dhe Zvicrës, edhe ministrat e migracionit të Danimarkës, Suedisë, Belgjika dhe Holandës, si dhe Komisioneri i BE-së për Migracionin, Magnus Brunner. Temë diskutimi pritet të jenë edhe fluturimet e dronëve, gjë për të cilën u debatua fort së fundmi.




Comments are closed.