Gjermani, qeveria shqyrton lirimin e masave shtërnguese kundër COVID-19
Liderët e politikës në Gjermani kanë filluar debatin për një lehtësim të mundshëm të kufizimeve të vendosura për shkak të pandemisë së koronavirusit, përpara një takimi me kancelaren Angela Merkel të mërkurën.
Merkel dhe kryeministrat e 16 landeve të Gjermanisë presin të marrin sot rekomandime nga Akademia Kombëtare e Shkencave e Gjermanisë, për të cilat kancelarja ka thënë se do të kenë peshë të madhe në konsideratat për një lehtësim të mundshëm të lëvizjes dhe rregullave të distancës sociale, që ekzistojnë që nga mesi i marsit.
Diskutimi zhvillohet ndërsa numri i infeksioneve të reja dhe vdekjeve ka rënë në Gjermani, e cila e ka përballuar pandeminë më mirë sesa Italia, Spanja apo Franca.
Merkel do të diskutojë nesër rekomandimet e Akademisë Kombëtare të Shkencave me kabinetin e saj.
Të mërkurën, ajo do të zhvillojë një video-konferencë me qeveritarët e landeve për të diskutuar rrugët e mundshme të daljes nga bllokimi dhe menaxhimin e recesionit që pritet të shkaktojë kjo pandemi.
Eunews.al