×
Wednesday, October 15, 2025

Forumi BE – Ballkani Perëndimor, Manjani: 400 milionë euro investime për IA, energji të pastër dhe industri

October 14, 2025


Forumi i Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, që po zhvillohet në Tiranë, ka nisur me një angazhim të fortë ekonomik, ku në ditën e parë janë nënshkruar letra qëllimi për projekte me vlerë rreth 400 milionë euro në fushat e Inteligjencës Artificiale, energjisë së pastër dhe industrisë automotive.

Në panelin e parë të ditës së dytë, zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Olta Manjani, theksoi se forumi po forcon ndjeshëm lidhjet ekonomike ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Synimi i këtij forumi është të thellojë bashkëpunimin ekonomik BE-Ballkani Perëndimor dhe dita e parë konfirmoi këtë qëllim përmes nënshkrimit të letrave të qëllimit për projekte konkrete që pritet të zbatohen vitin e ardhshëm”, tha Manjani.

Ajo rikujtoi deklaratën e Presidentes së Komisionit Evropian, e cila bëri të ditur se përmes kësaj nisme synohet të tërhiqen investime në vlerën e rreth 6 miliardë eurove në të gjithë rajonin.

“Integrimi evropian është një proces i mbështetur fort në investime të koordinuara në infrastrukturë, sektorin privat dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor, i cili është një nga burimet më të çmuara të rajonit”, nënvizoi zëvendësministrja.

Ajo shtoi se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë treguar potencial të lartë për t’u integruar me sistemet financiare të BE-së dhe se rajoni duhet të ecë përpara si një tërësi e bashkuar.

Gjatë ditës së dytë të forumit, janë planifikuar pesë sesione të fokusuara në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, ku do të prezantohen projekte konkrete nga kompani të ndryshme, me synimin për të siguruar angazhime të drejtpërdrejta investimesh.

Forumi shërben si një platformë e rëndësishme për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, nxitjen e inovacionit dhe përshpejtimin e konvergjencës ekonomike të rajonit me Bashkimin Evropian.




Comments are closed.