Fitorja e Kosovës ndaj Suedisë, Rama: Dy krena, dy fitore, një shqipe


Kryeministri Edi Rama reagoi mbrëmjen e sotme për fitorën e Kosovës ndaj Suedisë në eleminatoret e kampionatit Botëror 2026.
“Dy krena, dy fitore, një shqipe. Forca Kosovë”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Kosova ka arritur një fitore historike në udhëtim, duke mposhtur Suedinë me rezultat minimal 1-0 në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet e Botërorit 2026.

Golin e vetëm të takimit e realizoi Fisnik Asllani në pjesën e parë, pas një aksioni të shpejtë që përfundoi me goditje precize në rrjetën suedeze.
Pas kësaj fitoreje të madhe, Kosova ngjitet në vendin e dytë të Grupit B me 7 pikë pas katër ndeshjeve, tre më pak se liderja Zvicra që kryeson me 10 pikë. Slovenia renditet e treta me 3 pikë, ndërsa Suedia mbetet në fund të tabelës me vetëm 1 pikë të fituar.
Fitorja e sotme e mban gjallë plotësisht ëndrrën e Kosovës për një kualifikim historik në Kupën e Botës, ndërsa ndeshjet e radhës kualifikuese do të zhvillohen muajin e ardhshëm, ku dardanët do të kërkojnë të vazhdojnë momentin pozitiv.

