Evis Sala përzgjidhet mes 100 grave më me ndikim në onkologji për vitin 2026

28 Aug 2026 15:26
Shpërndaje:

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, është përzgjedhur ndër 100 gratë më me ndikim në onkologji për vitin 2026 nga OncoDaily, nisma ndërkombëtare që vlerëson gratë që po japin kontribut të rëndësishëm në kujdesin, parandalimin dhe trajtimin e kancerit në mbarë botën.

Prof. Sala është përfshirë mes 10 grave të para të prezantuara në listën “100 Influential Women in Oncology 2026”, e cila sjell së bashku profesioniste dhe drejtuese nga vende të ndryshme të botës, të vlerësuara për ndikimin e tyre në fushën e onkologjisë.

Në prezantimin e saj, OncoDaily evidenton edhe rolin e Evis Salës si ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, duke nënvizuar vendosjen e onkologjisë në qendër të reformave të ndërmarra në sistemin shëndetësor shqiptar.

Reklamë Ola

Mes nismave të evidentuara janë krijimi i Institutit Kombëtar të Onkologjisë dhe Rrjetit Kombëtar të Kancerit, standardizimi i protokolleve për trajtimin e sëmundjeve tumorale, zgjerimi i kapaciteteve rajonale për kimioterapinë dhe radioterapinë, si dhe rritja e financimit për barnat antikancer.

Vëmendje i kushtohet gjithashtu forcimit të programeve të depistimit të kancerit të qafës së mitrës dhe masave për parandalimin e HPV-së, si pjesë e përpjekjeve për të rritur diagnostikimin e hershëm dhe parandalimin e sëmundjeve tumorale.

Reklamë InterMedika

Krahas angazhimit institucional, Sala ka një karrierë të gjatë akademike dhe profesionale në mjekësi. Ajo është Profesore e Radiologjisë në Università Cattolica del Sacro Cuore në Romë dhe ka drejtuar Departamentin e Imazherisë Diagnostike dhe Radioterapisë në Fondazione Policlinico Universitario Agostino Gemelli IRCCS.

Lista “100 Influential Women in Oncology” është kthyer në një traditë të OncoDaily që prej 26 gushtit 2023, Ditës së Barazisë së Grave në Shtetet e Bashkuara. Nisma synon të vlerësojë çdo vit 100 gra që kontribuojnë në zhvillimin dhe transformimin e onkologjisë në nivel ndërkombëtar.

Edicioni i vitit 2026 vijon këtë traditë, duke sjellë në vëmendje kontributin e grave në parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit, kërkimin shkencor dhe përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve.

Përfshirja e Evis Salës në listën e këtij viti përbën një vlerësim ndërkombëtar të kontributit të saj profesional dhe të nismave në fushën e onkologjisë në Shqipëri, duke e vendosur vendin në vëmendjen e komunitetit global të profesionistëve dhe drejtuesve të kujdesit ndaj kancerit.