Trombektomia tashmë në QSUT, shërbimi do të ofrohet 24 orë për pacientët me insult ishemik

27 Aug 2026 15:04
Shpërndaje:

Duke nisur nga sot, trombektomia mekanike është një shërbim i disponueshëm për qytetarët në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, duke zgjeruar mundësitë për trajtimin e pacientëve me insult ishemik akut.

Investimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale përfshin instalimin e Angiografit Biplanar dhe ngritjen e Kabinetit të Radiologjisë Intervencionuese, duke mundësuar diagnostikimin dhe trajtimin endovaskular të patologjive komplekse neurovaskulare.

Teknologjia e re mundëson kryerjen e trombektomisë mekanike, procedurë përmes së cilës hiqet trombi që bllokon qarkullimin e gjakut në enët e trurit te pacientët e përzgjedhur me insult ishemik akut.

Reklamë Ola

Në kabinetin e ri do të mund të diagnostikohen dhe trajtohen edhe patologji të tjera vaskulare dhe cerebrovaskulare, përfshirë aneurizmat, përmes procedurave të avancuara si angiografia digjitale me substraksion, DSA.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, inspektoi ambientet e shërbimit të ri dhe bëri të ditur se ai do të funksionojë 24 orë në ditë, në bashkëpunim me neurologët, neurokirurgët, terapinë intensive dhe Shërbimin e Strokut.

Reklamë InterMedika

“Që sot, trombektomia është në shërbim të qytetarëve në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’. Është një shërbim i strukturuar dhe i integruar i neuroradiologjisë diagnostikuese dhe intervenuese”, deklaroi Sala.

Sipas ministres, pajisjet e reja mundësojnë jo vetëm diagnostikimin, por edhe ndërhyrjen për trajtimin e insultit ishemik dhe patologjive të tjera me origjinë vaskulare, përfshirë aneurizmat.

Investimi është shoqëruar edhe me ngritjen dhe trajnimin e një ekipi të specializuar, ku përfshihen neuroradiologë intervenues, infermierë dhe teknikë.

Kapacitetet e Neurokirurgjisë në QSUT pritet të zgjerohen më tej brenda vitit 2026, me instalimin e një akseleratori linear për trajtimin e pacientëve me tumore të trurit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Angiografi Biplanar dhe Kabineti i Radiologjisë Intervencionuese kanë potencial për realizimin e rreth 200 procedurave të avancuara endovaskulare në vit.

Vënia në funksion e shërbimit synon të krijojë mundësi për ndërhyrje më të shpejta dhe të avancuara për pacientët me patologji neurovaskulare, duke ofruar në QSUT procedura që deri më tani nuk kryheshin në këtë shërbim.