Alarm në Holandë për pilulat “ecstasy” në formën e kokës së Trump: Mund të jenë vdekjeprurëse

29 Aug 2026 17:39
Shpërndaje:

Një institut holandez për kërkimin mbi drogat dhe varësinë ka lëshuar një alarm të kuq për pilula të rrezikshme “ecstasy”, të prodhuara në formën e kokës së presidentit amerikan Donald Trump, duke paralajmëruar se ato mund të kenë pasoja fatale dhe nuk duhet të konsumohen “në asnjë rrethanë”.

Sipas Institutit Trimbos, me seli në Utrecht, pilulat janë shfaqur në ngjyra të ndryshme, kanë formën e kokës së presidentit amerikan dhe mbajnë të stampuara fjalët “Trump” dhe “NL”.

Aktualisht nuk dihet se sa prej këtyre pilulave janë në qarkullim. Anniek Groothuis, zëdhënëse e institutit, tha se ato janë dorëzuar për analizim në disa qendra të testimit të drogave në Holandë.

Reklamë Ola

Sipas saj, qendrat e testimit janë përballur edhe më parë me pilula të prodhuara në forma të veçanta, përfshirë ato që imitojnë logon e Superman apo mbajnë simbole të markave të automobilave. Megjithatë, shqetësimi kryesor në rastin e fundit lidhet me përbërjen e tyre.

Instituti Trimbos paralajmëroi se pilulat përmbajnë një sasi shumë të lartë të substancës para-methoxymethamphetamine, e njohur si PMMA.

Reklamë InterMedika

PMMA mund të ngjajë me MDMA-në, substanca aktive që gjendet zakonisht në pilulat ecstasy, por konsiderohet shumë më e rrezikshme. Pikërisht kjo ngjashmëri mund të rrisë rrezikun, pasi përdoruesit mund të mos jenë të vetëdijshëm për substancën që po konsumojnë.

Sipas paralajmërimit, efektet serioze mund të shfaqen disa orë pas konsumimit. Instituti përmend mes tyre të përzierat, rritjen e ritmit të zemrës, konvulsionet dhe rritjen ekstreme të temperaturës së trupit.

Konsumimi mund të shkaktojë mbinxehje të rëndë të organizmit, me pasoja potencialisht fatale. Megjithatë, deri tani nuk janë raportuar raste vdekjesh apo sëmundjesh të rënda të lidhura me përdorimin e këtyre pilulave.

Autoritetet dhe ekspertët holandezë po përpiqen të përcaktojnë përmasat e qarkullimit të tyre, ndërsa paralajmërimi është i prerë që pilulat me formën e kokës së Trump të mos konsumohen në asnjë rrethanë.

Rasti ka tërhequr vëmendje edhe për shkak të figurës së përdorur në dizajnin e pilulave. Vetë Trump njihet për faktin se nuk konsumon alkool dhe në të kaluarën është shprehur publikisht kundër përdorimit të drogave. Administrata e tij ka prezantuar së fundmi edhe një strategji kombëtare për kontrollin e drogës në Shtetet e Bashkuara.