Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, vijon të mos bëjë publikë emrat e dy vendeve të rajonit, strukturat zyrtare të të cilave, sipas tij, janë të përfshira në veprimtari të koordinuara hibride që synojnë destabilizimin e vendit. Mungesa e një sqarimi zyrtar ka nxitur interpretime të ndryshme mediatike dhe reagime politike në Podgoricë, Beograd dhe Tiranë.
Agjencia serbe “Beta” raporton se polemikat janë intensifikuar pas raportimeve kontradiktore për vendet të cilave mund t’u referohej Spajiç. Televizioni publik malazez RTCG, duke cituar burime të larta të ekzekutivit, shkruan se Shqipëria nuk është një prej shteteve që kryeministri malazez kishte parasysh.
Sipas RTCG, pasi në media u shfaqën pretendimet se Shqipëria ishte një prej dy vendeve të përmendura në mënyrë indirekte nga Spajiç, kryeministri Edi Rama kërkoi sqarime nga qeveria malazeze. Nga Podgorica, sipas televizionit publik malazez, iu komunikua se pretendimi për përfshirjen e Shqipërisë nuk ishte i vërtetë.
Edhe ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, reagoi duke theksuar se deri tani nuk ekziston asnjë akuzë e formuluar zyrtarisht ndaj Shqipërisë. Ai deklaroi se vendi “as nuk është dhe as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues” kundër Malit të Zi, të cilin e cilësoi vend fqinj, mik, partner dhe aleat në NATO, me të cilin Shqipëria ndan edhe perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Polemika nisi pas një raportimi të gazetës malazeze “Vijesti”, e cila, duke iu referuar katër burimeve, shkroi se dy shtetet që Spajiç kishte parasysh ishin Serbia dhe Shqipëria. Por gazeta tjetër malazeze “Dan” publikoi një version të ndryshëm, sipas të cilit bëhej fjalë për Serbinë dhe Kroacinë.
Në debat u përfshi edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili mohoi përfshirjen e Beogradit dhe sugjeroi se Spajiç mund të kishte pasur parasysh Kroacinë.
Ndërkohë, Qendra Digjitale Forenzike e Malit të Zi e konsideron Serbinë aktorin kryesor të kërcënimeve hibride ndaj vendit, por ka bërë të ditur se nuk ka evidentuar një ndikim të ngjashëm nga Shqipëria apo Kroacia.
Në analizën e saj, RTCG ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si deklarata fillestare e Spajiçit u interpretua dhe u zgjerua në debatin publik. Kryeministri malazez nuk përmendi konkretisht asnjë shtet dhe as nuk deklaroi se ministra apo zëvendëskryeministra të qeverisë së tij ishin të përfshirë në veprimtari hibride.
Spajiç kishte deklaruar se ekzistojnë “informacione serioze operative të sigurisë” se mbyllja e kapitujve të rinj në negociatat e Malit të Zi me Bashkimin Europian do të shoqërohet me veprimtari hibride të koordinuara, në të cilat janë të përfshira strukturat zyrtare të dy vendeve të rajonit.
Sipas tij, këto veprimtari synojnë destabilizimin e Malit të Zi dhe mund të gjejnë mbështetje te aktorë të caktuar politikë dhe një pjesë e skenës mediatike brenda vendit. Kryeministri theksoi njëkohësisht se përpjekje të tilla nuk do të ndryshojnë kursin e qeverisë dhe nuk do të ndalin rrugën europiane të Malit të Zi.
RTCG kritikon veçanërisht faktin që mbi deklaratën fillestare u ngritën më pas pretendime mediatike për zyrtarë të lartë të qeverisë që mund të ndodheshin nën ndikimin e strukturave të jashtme apo kriminale dhe për një krizë të mundshme brenda koalicionit qeverisës, ndonëse Spajiç nuk kishte bërë deklarata të tilla.
Televizioni publik malazez ngre pikëpyetje edhe mbi raportimet e “Vijesti”-t, duke kujtuar një rast të mëparshëm, kur gazeta publikoi të dhëna të një sondazhi që ia atribuoi agjencisë “Spektrum Analitika”. Kjo e fundit u distancua më pas nga publikimi, duke deklaruar se nuk kishte autorizuar publikimin e të dhënave dhe se ato nuk përfaqësonin rezultate përfundimtare dhe të verifikuara të një sondazhi zyrtar të kompanisë.
Në analizën e RTCG trajtohen gjithashtu marrëdhëniet tregtare të “Vijesti”-t me kompani të lidhura me Serbinë, mes tyre MTEL dhe banka ALTA. Televizioni publik vëren se këto marrëdhënie biznesi nuk provojnë në vetvete ndikim mbi politikën editoriale, por argumenton se çështja ngre pikëpyetje mbi standardet e transparencës, duke pasur parasysh që gazeta ka qenë vazhdimisht kritike ndaj ndikimit politik të Beogradit në Malin e Zi.
Përplasja zhvillohet në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit europian të Malit të Zi. Vendi ka hapur të 33 kapitujt negociues dhe deri tani ka mbyllur përkohësisht 18 prej tyre. Në fillim të shtatorit mund të krijohen kushtet për mbylljen e katër kapitujve të tjerë.
Debati mbi pretendimet për ndërhyrje hibride ka përfshirë ndërkohë edhe institucionet më të larta të Malit të Zi. Presidenti Jakov Milatoviç ka kërkuar mbledhjen urgjente të Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, ndërsa Spajiç kërkon që më parë të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
Në mungesë të një deklarate të drejtpërdrejtë nga Spajiç për identitetin e dy vendeve, versionet e publikuara deri tani mbeten pretendime të mediave. Sipas burimeve të cituara nga RTCG, Shqipëria nuk është një prej tyre, ndërsa Tirana zyrtare ka bërë të qartë se nuk ekziston asnjë akuzë zyrtare ndaj vendit dhe se marrëdhëniet me Malin e Zi nuk duhet të ndikohen nga hamendësimet dhe interpretimet mediatike.


