Kryeministri Edi Rama ka ndarë këtë të enjte, 27 gusht, pamje nga Thethi, një prej destinacioneve më të njohura turistike në veri të vendit, i cili gjatë sezonit veror është mbushur me vizitorë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e cilësoi Thethin si një prej magjive të Alpeve Shqiptare.
“Mirëmëngjes dhe me magjinë e Thethit, mes majave të Alpeve Shqiptare, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri.
I vendosur në zemër të Alpeve Shqiptare, Thethi është një nga destinacionet më të veçanta të turizmit malor në Shqipëri. Peizazhet, majat e larta, shtigjet malore dhe natyra e bëjnë zonën veçanërisht tërheqëse për turistët vendas dhe të huaj.
Thethi është gjithashtu një destinacion i preferuar për të apasionuarit pas hiking-ut, me një sërë shtigjesh që u mundësojnë vizitorëve të eksplorojnë zonën dhe të shijojnë panoramat e Alpeve.
Përveç ecjeve në natyrë, turistët mund të provojnë edhe aktivitete të tjera, mes tyre zip line, që ofron një eksperiencë me adrenalinë dhe një pamje të veçantë mbi fshatin dhe relievin malor përreth.


