Kancelari gjerman Friedrich Merz po përgatitet të fajësojë Rusinë për tentativën e sulmit me dron në Leipzig dhe të njoftojë sanksione të reja të gjera, një lëvizje që do të shënonte ashpërsim të mëtejshëm të qëndrimit të Berlinit ndaj Moskës.
Sipas tre zyrtarëve të njohur me diskutimet, qeveria gjermane po përgatit masa të drejtpërdrejta kundër subjekteve ruse, ndërkohë që paralelisht në Bruksel po punohet për një paketë të re dhe më të gjerë sanksionesh të Bashkimit Europian ndaj Rusisë.
Njoftimi i Berlinit pritet në fillim të javës së ardhshme, në të njëjtën periudhë me takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së në Irlandë të martën, megjithëse vendimi mund të bëhet publik edhe më herët.
Sipas një prej zyrtarëve, pas incidentit me dronin në Leipzig, masa të tilla si dëbimi i diplomatëve individualë rusë apo mbyllja e Shtëpisë Ruse në Berlin nuk konsiderohen më të mjaftueshme. Në diskutim janë masa më të ashpra, që mund të përfshijnë intensifikimin e sanksioneve apo edhe rritjen e mëtejshme të furnizimeve me armë për Ukrainën. Detajet konkrete të paketës që Merz pritet të shpallë nuk janë bërë ende të ditura.
Mbetet gjithashtu e paqartë nëse Berlini do të fajësojë aktorë të veçantë rusë apo drejtpërdrejt qeverinë e Moskës për tentativën e sulmit. Autoritetet gjermane po përgatiten ndërkohë edhe për mundësinë e kundërmasave nga Rusia.
Lëvizja vjen në një periudhë tensionesh të larta mes Rusisë dhe vendeve europiane, pas një serie incidentesh në territorin e NATO-s, të cilat zyrtarë të lartë i kanë përshkruar si pjesë të një “lufte hibride”. Vetëm pak ditë më parë, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, zhvilloi një vizitë të papritur në Moskë, ku paralajmëroi autoritetet ruse kundër përshkallëzimit të tensioneve me NATO-n.
Çështja është e ndjeshme edhe për politikën e brendshme gjermane. Të dielën e ardhshme zhvillohen zgjedhjet në landin e Saksoni-Anhaltit, ndërsa dy javë më vonë do të votohet në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore dhe Berlin. Në dy landet e para, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e njohur për qëndrimet e saj më të favorshme ndaj Rusisë, kryeson sondazhet.
Merz kishte paralajmëruar që të martën se incidenti në Leipzig do të sillte pasoja të rënda, megjithëse në atë moment nuk përmendi drejtpërdrejt Rusinë.
“Sulmi me dron në Leipzig, ndër të tjera, tregon se po përballemi edhe me kërcënime shumë reale. Qeveria federale po i bën autorët e sulmeve hibride të paguajnë një çmim. Ata do të paguajnë për këtë”, deklaroi kancelari.
Megjithatë, një zëdhënës i qeverisë gjermane ka treguar kujdes lidhur me atribuimin zyrtar të përgjegjësisë. Sipas tij, ajo që ka rëndësi është vlerësimi zyrtar që do të bëjë qeveria federale pasi të analizojë të gjitha rezultatet e hetimit.
Tentativa e dështuar e sulmit në aeroportin Leipzig/Halle është lidhur ndërkohë me Rusinë nga disa hetime mediatike. Sipas raportimeve të mediave gjermane, droni i pajisur me eksploziv synonte të godiste një avion ukrainas mallrash Antonov, i cili përdoret gjithashtu për transportimin e pajisjeve ushtarake. Edhe vlerësime të inteligjencës amerikane, sipas raportimeve mediatike, e kanë lidhur Rusinë me dronin.
Rasti ka ngritur krahasime edhe me një seri sabotimesh kundër transportit ajror të mallrave në Europë gjatë vitit 2024, për të cilat shërbimet ruse të inteligjencës janë dyshuar se kanë qenë të përfshira. Moska i ka mohuar akuzat.
Deri tani nuk është bërë e qartë se çfarë provash të reja mund ta kenë shtyrë Berlinin drejt fajësimit të drejtpërdrejtë të Rusisë. Pragu i provave për një akuzë zyrtare është i lartë dhe autoritetet gjermane kanë qenë më parë të kujdesshme në këtë drejtim.
Dy prej zyrtarëve e kanë përshkruar ndryshimin që po përgatitet nga Berlini si një “Zeitenwende 2.0”, duke iu referuar kthesës historike në politikën gjermane të mbrojtjes të shpallur nga ish-kancelari Olaf Scholz pas nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022.
Në forcimin e shqetësimeve të Berlinit ka ndikuar edhe zbulimi i një depoje të fshehtë armësh pranë kryeqytetit gjerman. Në një zonë pyjore pranë liqenit Müggelsee, shërbimet gjermane të inteligjencës së brendshme zbuluan një vendstrehim nëntokësor ku ndodheshin dy armë gjysmëautomatike dhe një sasi e konsiderueshme municionesh.
Armët ishin ruajtur në kontejnerë rezistentë ndaj kushteve atmosferike dhe, sipas raportimeve, ishin në gjendje për përdorim të menjëhershëm. Hetuesit i bënë ato të papërdorshme dhe i rikthyen në vendin ku ishin gjetur, duke e mbajtur zonën nën vëzhgim, por askush nuk u paraqit për t’i marrë.
Prokuroria e Përgjithshme Federale gjermane po e heton rastin nën dyshimin për përgatitjen e një akti të rëndë dhune që mund të kërcënonte shtetin. Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, ka folur për një situatë me rrezik të lartë dhe ka sugjeruar se armët mund të ishin destinuar për sulme në Berlin, pa bërë megjithatë një lidhje të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Shqetësimet janë shtuar edhe nga incidente të tjera të sigurisë në vendet e NATO-s. Në Rumani u zbulua një dron detar me eksploziv pranë projektit të gazit Neptun Deep në Detin e Zi, ndërsa presidenti Nicușor Dan fajësoi drejtpërdrejt Rusinë. Në Sllovaki, policia parandaloi një sulm të planifikuar me zjarr ndaj një fabrike dronësh, ndërsa Estonia po heton për një lidhje të mundshme ruse pas një sulmi me zjarr ndaj një kompanie të sektorit të mbrojtjes. Shpërthime në fabrika municionesh në Itali dhe Bullgari janë gjithashtu nën hetim, por deri tani nuk ka prova të qarta për sabotim rus në këto dy raste.
Në këtë klimë tensionesh, edhe Bashkimi Europian po përgatit një paketë të gjerë sanksionesh ndaj Moskës. Sipas diplomatëve europianë, propozimet do të diskutohen gjatë takimit informal të ministrave të Jashtëm të BE-së të martën dhe të mërkurën në Wicklow të Irlandës.
Aktualisht po shqyrtohet përfshirja në listën e sanksioneve e rreth 1 600 subjekteve, mes tyre 800 individë dhe 800 kompani ruse. Paketa pritet të miratohet në mesin e tetorit.
Në diskutim është rikthyer edhe mundësia e përdorimit të aseteve të ngrira të Bankës Qendrore ruse, megjithëse kjo konsiderohet një çështje më afatgjatë dhe kërkon kapërcimin e kundërshtimeve të Belgjikës. Pjesa më e madhe e rezervave të ngrira ruse në BE mbahet nga Euroclear me seli në Bruksel dhe qeveria belge është treguar e kujdesshme për shkak të rrezikut të kundërmasave ruse.
Sipas diplomatëve, objektivi është një zgjerim i ndjeshëm i presionit ekonomik ndaj Moskës. “Strategjia është të përdorim të gjitha mundësitë. Po aktivizojmë çdo regjim të mundshëm sanksionesh”, deklaroi një diplomat i BE-së.


