Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ka njoftuar largimin nga kabineti qeveritar, duke bërë të ditur se ka pranuar disa angazhime të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e saj të ekspertizës.
Përmes një reagimi në platformën X, Sala deklaroi se mbledhja e sotme ishte e fundit për të si anëtare e qeverisë.
“Sot ishte mbledhja ime e fundit si anëtare e kabinetit qeveritar, pasi kam pranuar disa angazhime ndërkombëtare të rëndësishme në fushën time të ekspertizës: onkologji – inteligjencë artificiale – inovacion”, shkroi Sala.
Duke bërë një bilanc të periudhës në krye të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ajo tha se e mori këtë detyrë një vit më parë me përgjegjësi të madhe, në një sektor që e cilësoi plot sfida dhe vështirësi.
Sala falënderoi Kryeministrin Edi Rama për besimin dhe mbështetjen, si dhe mjekët, infermierët, profesionistët dhe punonjësit e sistemit të shëndetësisë dhe mirëqenies sociale për punën e tyre.
“I jam mirënjohëse Kryeministrit Edi Rama për besimin dhe mbështetjen, si dhe çdo mjeku, infermieri, profesionisti dhe punonjësi të sistemit të shëndetësisë e mirëqenies sociale që punoi çdo ditë për ta bërë sistemin më të mirë”, u shpreh ajo.
Ministrja në largim falënderoi gjithashtu qytetarët shqiptarë që gjatë kësaj periudhe i janë drejtuar me mesazhe, sugjerime dhe kërkesa.
Sipas Salës, gjatë vitit të fundit janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në sektorin e shëndetësisë, disa prej të cilëve janë tashmë të dukshëm, ndërsa të tjerë sapo kanë nisur.
“Në këtë vit kemi bërë hapa të rëndësishëm në shëndetësi. Shumë prej tyre janë të dukshëm sot, të tjerë sapo kanë nisur”, shkroi Sala.
Ajo theksoi se largimi nga posti qeveritar nuk nënkupton përfundimin e angazhimit të saj për Shqipërinë, duke deklaruar se do të vijojë të kontribuojë përmes dijes, eksperiencës dhe rrjetit të saj profesional ndërkombëtar.
“Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një post. Ai është pjesë e asaj që jam dhe do të vazhdojë përmes dijes, eksperiencës dhe rrjetit tim profesional ndërkombëtar”, deklaroi Sala.
Në përfundim të mesazhit, ajo theksoi se detyrat institucionale janë të përkohshme, ndërsa përgjegjësia ndaj vendit mbetet.
“Sepse detyrat kanë një fillim dhe një fund. Por, përgjegjësia dhe lidhja me vendin tënd nuk kanë kufij!”, përfundoi Evis Sala.


