Fermerët shqiptarë mund të marrin tashmë drejtpërdrejt nga telefoni dhe pa pagesë informacion mbi karakteristikat dhe nevojat e tokës së tyre përmes aplikacionit të ri LIS.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi funksionimin e aplikacionit gjatë një vizite në Roskovec, ku u takua me një fermer të zonës që kultivon 7 dynymë me vreshta.
Salla tha se platforma e re synon të thjeshtojë aksesin e fermerëve në informacionin mbi tokën, duke shmangur procedurat dhe kostot që më parë kërkoheshin për sigurimin e këtyre të dhënave.
“Përmes këtij aplikacioni fermerët marrin të gjithë informacionin e nevojshëm për analizat e tokës”, deklaroi ministri.
Sipas tij, më parë fermerëve u duhej të udhëtonin drejt Tiranës apo Fushë-Krujës për të marrë informacionin përkatës, çka sillte humbje kohe dhe kosto shtesë. Me LIS, të dhënat mund të aksesohen lehtësisht dhe falas përmes telefonit.
Informacioni i ofruar nga aplikacioni u mundëson fermerëve të përcaktojnë më mirë nevojat e tokës së tyre dhe të përdorin në mënyrë më eficiente plehrat dhe inputet e tjera bujqësore.
Në këtë mënyrë, LIS synon të ndihmojë në shmangien e shpenzimeve të panevojshme, uljen e kostove të prodhimit dhe përdorimin më efikas të burimeve nga fermerët.
Aplikacioni pritet të kontribuojë gjithashtu në përmirësimin e rendimentit dhe cilësisë së prodhimit bujqësor, duke u dhënë fermerëve më shumë informacion për vendimmarrjen mbi trajtimin dhe menaxhimin e tokës.


