Begaj pret ambasadoren e re të BE-së: Objektivi ynë, anëtarësimi në vitin 2030

02 Sep 2026 14:11
Shpërndaje:

Presidenti Bajram Begaj priti sot ambasadoren e re të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila paraqiti letrat kredenciale, duke nisur zyrtarisht mandatin e saj në Tiranë.

Kreu i Shtetit i uroi ambasadores suksese në detyrën e re dhe vlerësoi rolin e Delegacionit të BE-së në forcimin e marrëdhënieve mes Tiranës dhe Brukselit, si dhe në mbështetjen e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Begaj shprehu besimin se bashkëpunimi mes institucioneve shqiptare dhe Delegacionit të BE-së do të thellohet më tej, me synim përmbushjen e objektivit strategjik të vendit për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian në vitin 2030.

Reklamë Ola

Presidenti vlerësoi mbështetjen politike, financiare dhe teknike të BE-së për reformat në Shqipëri, duke e cilësuar Delegacionin në Tiranë një partner të besuar dhe të rëndësishëm në këtë proces.

Gjatë takimit u diskutua edhe ecuria e negociatave të anëtarësimit dhe angazhimi i Shqipërisë për përmbushjen e reformave dhe standardeve europiane.

Reklamë InterMedika

Sipas Begajt, vendi ka hyrë në një fazë të avancuar dhe dinamike të integrimit, duke treguar vullnet politik dhe gatishmëri institucionale për të vijuar me detyrimet që burojnë nga procesi i anëtarësimit.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua reformës në drejtësi, të cilën Presidenti e cilësoi si një nga dëshmitë më të rëndësishme të vendosmërisë së Shqipërisë për përmbushjen e standardeve europiane.

Kreu i Shtetit rikonfirmoi angazhimin për forcimin e pavarësisë dhe integritetit të institucioneve të drejtësisë, si dhe për intensifikimin e luftës kundër korrupsionit përmes funksionimit të pavarur dhe pa ndikim politik të strukturave të drejtësisë.

“Shqipëria është e angazhuar për përmbushjen e objektivit të saj strategjik për anëtarësim në Bashkimin Europian në vitin 2030. Përfshirja e të gjithë shoqërisë shqiptare në realizimin e kësaj ambicieje dhe entuziazmi i saj për këtë proces janë një tipar që na diferencon dhe na nxit të punojmë edhe më fort për ta arritur këtë objektiv”, u shpreh Begaj.

Në takim u evidentua gjithashtu harmonizimi i plotë i Shqipërisë me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Europian, si dëshmi e orientimit strategjik të vendit dhe angazhimit ndaj politikave dhe vlerave të përbashkëta europiane.

Në përfundim, Begaj shprehu besimin se Sofia Moreira de Sousa do të japë një kontribut të rëndësishëm në avancimin e marrëdhënieve Shqipëri-BE dhe në rrugëtimin europian të vendit.

Presidenti shprehu gjithashtu bindjen se deri në përfundim të mandatit të ambasadores së re, Shqipëria do të jetë anëtarësuar në Bashkimin Europian.