Kryeministri britanik Andy Burnham ka shpalosur vizionin e tij politik dhe ekonomik në fjalimin e parë në Parlament pas rifillimit të sesionit, duke fajësuar politikat e ndjekura që nga koha e Margaret Thatcher dhe Brexit-in për një pjesë të problemeve me të cilat përballet sot Britania.
Qëndrimet e Burnham kanë nxitur kritika nga kundërshtarët e tij, të cilët e akuzojnë se po kërkon përgjigje për problemet aktuale te vendimet politike të marra dekada më parë.
Kryeministri, i cili përfaqëson krahun e majtë të Partisë Laburiste, argumentoi për një rol më të madh të shtetit në ekonomi dhe në administrimin e shërbimeve kryesore publike.
Burnham pranoi se pas dy viteve të qeverisjes laburiste nën drejtimin e paraardhësit të tij, Keir Starmer, kostoja e jetesës vazhdon të jetë e lartë dhe të rëndojë mbi shumë familje britanike.
Ai premtoi se qeveria e tij do të kërkojë të marrë më shumë kontroll mbi shërbimet kryesore publike, përfshirë sektorin e ujësjellësve dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, duke sinjalizuar një zgjerim të ndërhyrjes shtetërore në ekonomi.
Një tjetër pikë e programit të Burnham është decentralizimi. Kryeministri paralajmëroi transferimin e më shumë kompetencave drejt autoriteteve lokale, si dhe zhvendosjen e disa institucioneve qeveritare nga Londra drejt Manchesterit dhe zonave të tjera të Anglisë qendrore dhe veriore.
Kjo qasje lidhet edhe me të kaluarën politike të Burnham, i cili përpara marrjes së drejtimit të qeverisë ka drejtuar Manchesterin dhe është identifikuar politikisht me veriun e Anglisë.
Në fjalimin e tij, Burnham kritikoi reformat e ish-kryeministres konservatore Margaret Thatcher, duke argumentuar se gjatë periudhës së saj pushteti politik u centralizua, një pjesë e rëndësishme e ekonomisë u privatizua dhe vendi kaloi nëpër një proces deindustrializimi që dobësoi edhe autoritetet lokale.
Ai u ndal gjithashtu te Brexit, duke lënë të kuptohet se qeveria e tij mund të kërkojë afrimin e mëtejshëm të Britanisë me Bashkimin Europian. Burnham e lidhi daljen nga BE-ja me problemet e rritjes ekonomike të vendit gjatë dekadës së fundit.
Në planin e brendshëm politik, kryeministri synon gjithashtu të bashkëpunojë me Liberal Demokratët për ndryshimin e sistemit zgjedhor mazhoritar britanik.
Burnham ka kaluar një verë relativisht të qetë politike pas zëvendësimit të Keir Starmer në krye të qeverisë, ndërsa Parlamenti ishte jashtë sesionit. Me rikthimin e aktivitetit parlamentar, megjithatë, qeveria e tij pritet të përballet me testet e para të rëndësishme politike.
Një prej tyre do të jenë zgjedhjet e parakohshme në Londër pas vendimit të Starmer për t’u larguar edhe nga posti i deputetit, ndërsa kanë qarkulluar spekulime se ish-kryeministri mund të synojë një rol të ri ndërkombëtar, përfshirë drejtimin e NATO-s.


