Lideri i së djathtës franceze Jordan Bardella po merr më shumë përgjegjësi ndërkombëtare në kuadër të strategjisë së Tubimit Kombëtar për të forcuar besueshmërinë e partisë jashtë Francës dhe për të qetësuar tregjet financiare, të shqetësuara për kostot e programit ekonomik të Marine Le Pen.
Një bashkëpunëtor i Bardella bëri të ditur se fjalimi i tij të premten në kongresin e Reform UK në Birmingham dhe pjesëmarrja një ditë më vonë në Forumin Ambrosetti në Itali shënojnë fillimin e një fushate më të gjerë për të rritur profilin ndërkombëtar të politikanit 30-vjeçar.
Në ditët e ardhshme, Bardella pritet gjithashtu të japë dhjetë intervista për mediat ndërkombëtare.
“Bardella i ka kushtuar gjithmonë rëndësi besueshmërisë ndërkombëtare të Tubimit Kombëtar. Ai do t’i kushtojë vëmendje të madhe shtypit ndërkombëtar gjatë fushatës”, tha një prej bashkëpunëtorëve të tij.
Bardella u ngjit me shpejtësi në strukturat drejtuese të partisë që në të 20-at e tij dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në përpjekjet për të ndryshuar imazhin e saj. Ai udhëhoqi Tubimin Kombëtar drejt rezultateve të forta në zgjedhjet europiane të viteve 2019 dhe 2024 dhe aktualisht drejton grupin Patriotët për Europën në Parlamentin Europian.
Partia ka arritur nivele të larta mbështetjeje, ndërsa Marine Le Pen shihet si një prej pretendenteve kryesore për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.
Kur një dënim për përvetësim fondesh rrezikoi fillimisht kandidaturën presidenciale të Le Pen, Bardella u shfaq si alternativa e mundshme e partisë. Në atë periudhë ai tentoi të tërhiqte votuesit më konservatorë në çështjet fiskale dhe përfaqësues të biznesit, duke sinjalizuar një qasje më miqësore ndaj tregut.
Megjithatë, pasi një gjykatë apeli i hapi rrugën Le Pen për të kandiduar, Bardella është rikthyer në një rol dytësor në garën presidenciale. Le Pen ka bërë të qartë se disiplina fiskale nuk do të realizohet duke hequr dorë nga premtimet e bëra ndaj elektoratit të saj.
Mes këtyre premtimeve është edhe ulja e moshës së pensionit në 62 vjeç për shumicën e punonjësve, një masë që vlerësohet se do të kushtonte rreth 9 miliardë euro në vit.
Strategjia ndërkombëtare e Bardella po merr si shembull edhe kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe mënyrën se si ajo u përpoq të siguronte institucionet dhe tregjet financiare përpara se të merrte drejtimin e qeverisë italiane në vitin 2022.
“Bardella e ndoqi me shumë interes fushatën e Giorgia Melonit, e cila pati një prani të madhe në mediat ndërkombëtare për të qetësuar institucionet dhe tregjet financiare”, tha bashkëpunëtori i tij.
Ndarja e roleve mes Bardella dhe Le Pen synon gjithashtu t’i japë Tubimit Kombëtar një profil më të fortë ndërkombëtar, në një kohë kur partia kërkon të bindë jo vetëm elektoratin francez, por edhe investitorët dhe partnerët e Francës se është e përgatitur për të marrë pushtetin.


