Eurodeputeti italian Picaro: Shqipëria është partnere strategjike, ndikon në stabilitetin e Mesdheut
Eurodeputeti italian Michele Picaro (Fratelli d’Italia – ECR) e ka vlerësuar Shqipërinë si një partnere strategjike për Italinë dhe Bashkimin Europian, duke theksuar rolin e saj në stabilitetin e Mesdheut dhe në zhvillimin ekonomik të rajonit.
“Jam nga rajoni i Pulias dhe vij nga Bari, një qytet që prej tridhjetë vitesh e sheh Shqipërinë si një partnere natyrale në bregun tjetër të Adriatikut. Midis komuniteteve tona është ndërtuar një marrëdhënie konkrete: mbi 45% e lidhjeve detare nga Italia drejt Shqipërisë nisen nga portet pulieze, shkëmbimet tregtare janë rritur me rreth 30% gjatë pesë viteve të fundit, ndërsa turizmi është rritur me 22% vetëm vitin e kaluar,” deklaroi Picaro në mbledhjen e Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.
Ai shtoi se bashkëpunimet po forcohen në sektorë strategjikë, si logjistika, kërkimi universitar, energjia e rinovueshme dhe siguria detare. “Pikërisht për këtë arsye, rruga evropiane e Shqipërisë për ne nuk është thjesht një dosje diplomatike. Është një zgjedhje që ndikon në stabilitetin e Mesdheut, në konkurrueshmërinë e porteve tona dhe në rritjen e ndërmarrjeve që operojnë midis dy brigjeve,” theksoi eurodeputeti italian, anëtar i delegacionit në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri.







