×
Tuesday, October 21, 2025

Dorë për dore me bashkëshorten, ish-presidenti francez niset drejt burgut/ Mbështetësit i këndojnë himnin kombëtar. Macron solidarizohet

October 21, 2025


Ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy ka hyrë sot në burg.

Rreth orës 09:15 të mëngjesit të sotëm, ish-presidenti u largua nga banesa e tij, i shoqëruar nga bashkëshortja Carla Bruni, për të mbërritur 25 minuta më vonë në burgun “La Santé” në zonën Montparnasse, ku do të nisë vuajtjen e dënimit prej pesë vitesh.
Qindra mbështetës, përfshirë familjarë, miq dhe ish-bashkëpunëtorë të ngushtë të Sarkozy-t, u mblodhën që në orët e para të mëngjesit para shtëpisë së tij në arrondissement-in e 16-të të Parisit, duke kënduar në kor himnin kombëtar francez, “Marseljezën”.

Thirrja për mbledhje u bë nga djali i tij, Louis Sarkozy, 28 vjeç, i cili në rrjete sociale shkroi: “Të gjithë ata që duan t’i shprehin mbështetje babait tim, ju presim në orën 8:30 në këndin e rue Pierre-Guérin dhe rue de la Source. Do të jemi përkrah tij për t’i treguar dashurinë, respektin dhe besnikërinë tonë të përjetshme”.
Sarkozy është dënuar në shkallën e parë të gjyqësorit për “asociim kriminal” në çështjen e financimeve libiane të fushatës së tij presidenciale të vitit 2007.
Edhe presidenti aktual Emmanuel Macron, pavarësisht kritikave, ka treguar anën e tij humane ndaj Sarkozy. Ai e priti të hënën në Elize për më shumë se një orë. “Është normale që, nga ana njerëzore, të pres një nga paraardhësit e mi në një situatë të tillë”, tha Macron.
Mes shumë figurave që i shprehën mbështetje ishin ish-kryeministrat Edouard Balladur dhe François Fillon, si edhe liderja e Rassemblement National, Marine Le Pen.
Megjithëse është dënuar, Sarkozy hyn në burg si “i pafajshëm” në pritje të apelimit. Ai pritet të qëndrojë në burg vetëm për disa javë, për shkak të moshës 70-vjeçare dhe gjendjes shëndetësore, para se të transferohet në arrest shtëpie me byzylyk elektronik.
Në një intervistë për “Le Figaro”, Sarkozy tha: “Jeta ime është si një roman”. Ai do të qëndrojë në një qeli 11 metra katrorë, me dritare të blinduara, në izolim për arsye sigurie. Komshinjtë e tij të qelisë do të jenë trafikantë dhe të dënuar për terrorizëm. Ish-presidenti nuk do të ketë celular, por do të ketë një televizor të vogël dhe të drejtën për një shëtitje një orëshe në ditë, nën mbikëqyrjen e tre rojeve.
Nga lista e sendeve të lejuara që ka marrë, Sarkozy ka treguar me humor: “Mund të kem djellabën (veshje tradicionale magrebine), një qilim lutjeje, por jo busull”. Ai mund të ketë një shall (jo më të gjatë se 1 metër), një pirun, një thikë me majë të rrumbullakosur dhe një pjatë për gatim. Ai do të ketë gjithashtu të drejtën e tre takimeve në javë me familjarë dhe miq, ndër ta edhe ministrin e Drejtësisë, Gérald Darmanin.
Autoritetet e burgut i kanë sugjeruar të marrë tapat e veshëve për të mos dëgjuar britmat e të dënuarve të tjerë gjatë natës. Për ditët e para pas hyrjes në qeli, Sarkozy ka zgjedhur të marrë me vete dy libra: “Konti i Monte Kristos” dhe “Jezusi”, një biografi nga Jean-Christian Petitfils.




Comments are closed.