×
Tuesday, September 27, 2022

Borrell i kërkon Lavrov lirimin e opozitarit rus, Navalny

February 5, 2021

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell, në takimin në Moskë me ministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, ka kërkuar lirimin e opozitarit rus, Alexei Navalny, i cili është dënuar me burg në Rusi.

Pas takimit, Borrell dhe Lavrov u adresuan në një konferencë të përbashkët për media.

“Në takimin tonë me Lavrov kam bërë sërish thirrjen për lirimin e Navalny-t dhe fillimin e një hetimi gjithëpërfshirës lidhur me helmimin e tij”, tha Borrel, duke shtuar se janë të shqetësuar nga dënimi me burg në Rusi për opozitarin rus.

Borrell foli edhe për marrëdhëniet mes BE-së dhe Rusisë, duke theksuar se me Rusinë kanë mendime të ndryshme në shumë çështje.

“Marrëdhëniet tona në vitet e fundit mund të vlerësohen me mungesë të mosmarrëveshjeve serioze dhe besimit reciprok. E Shikojmë njëri tjetrin më shumë si konkurrentë sesa partnerë”, u shpreh Borrel.

Ai shtoi se BE-ja është partneri më i madh i Rusisë në fushën e tregtisë.

“Media perëndimore në protestat në Rusi tregon vetëm reagimin e policisë”

Ministri Lavrov, nga ana e tij, tha se media perëndimore i reflekton me “standart të dyfishtë” protestat pa leje që zhvillohen në të gjithë Rusinë për lirimin e Navalny-t.

“Media perëndimore tregon vetëm reagimin e policisë dhe jo se ndaj çfarë reagon ajo në protestat e zhvilluara në Rusi. Ndërsa në ngjarjet që zhvillohen në protestat në vendet perëndimore ajo tregon se protestuesit shkelin ligjet”, theksoi Lavrov.

Lavrov komentoi edhe mbi marrëdhëniet e vendit të tij me BE-në.

“Marrëdhëniet dypalëshe po kalojnë në kohë të vështira për shkak të kufizimeve të paligjshme që BE-ja zbaton në mënyrë të njëanshme. Përkeqësimi i mëtejshëm i marrëdhënieve mund të shkaktojë rezultate negative dhe të paparashikueshme”, u shpreh ai.

“Problemi i marrëveshjes bërthamore me Iranin është në një situatë kritike”

Lidhur me problemin e marrëveshjes bërthamore me Iranin, kryediplomati rus tha se për këtë çështje është arritur në një “situatë kritike”.

“Shpresojmë që administrata amerikane do të marrë vendim për rikthimin në marrëveshjen bërthamore të Iranit, e cila ka një rëndësi të madhe në fushën ndërkombëtare”, tha Lavrov dhe shtoi se do të vazhdojnë punimet e tyre për zgjidhjen e problemit lidhur me këtë marrëveshje.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments