Bisedimet për ruajtjen e armëpushimit në Gaza, zv.presidenti amerikan Vance do të mbërrijë nesër në Izrael


Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, pritet të mbërrijë të martën në Tel Aviv, megjithëse udhëtimi nuk është konfirmuar zyrtarisht as nga Uashingtoni dhe as nga autoritetet izraelite.
Autoriteti i Aeroporteve të Izraelit ka paralajmëruar për kufizime në qarkullimin rrugor dhe ndryshime operacionale në Aeroportin Ndërkombëtar Ben Gurion, në orarin mes 10:30 dhe 13:30, në kuadër të përgatitjeve për vizitën.
Në njoftimin e bërë publik, theksohet se gjatë këtij intervali kohor priten ndërprerje të qarkullimit përreth aeroportit dhe se disa fluturime do të zhvendosen në terminale të tjera, për të siguruar funksionimin normal të aeroportit.
Megjithatë, deri më tani nuk ka një deklaratë zyrtare nga Shtëpia e Bardhë apo nga zyra e kryeministrit të Izraelit që të konfirmojë zyrtarisht këtë vizitë.

Ndërkohë, sot në Izrael kanë mbërritur edhe Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Në frontin diplomatik, një delegacion i Hamasit ndodhet aktualisht në Kajro, ku po zhvillon bisedime me zyrtarë nga Katari dhe Egjipti, me qëllim ruajtjen e armëpushimit të brishtë në Rripin e Gazës.

