Polonia i është bashkuar zyrtarisht nismës së Bashkimit Evropian për ndërtimin e gigafabrikave të inteligjencës artificiale (IA), pasi nënshkroi një marrëveshje të përbashkët prokurimi me Ndërmarrjen e Përbashkët Evropiane për Informatikë me Performancë të Lartë (EuroHPC).
Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi publik polak TVP World, ndërsa zëvendësministri për Çështjet Digjitale, Dariusz Standerski, tha se marrëveshja i mundëson Polonisë të marrë pjesë në procesin e përbashkët të prokurimit të Bashkimit Evropian për ndërtimin e këtyre objekteve strategjike.
Sipas planit, Polonia synon të presë një gigafabrikë të mesme të inteligjencës artificiale, me kapacitet për të mbështetur të paktën 75 mijë përshpejtues të IA-së.
Qeveria polake ka ndarë më shumë se 400 milionë zlotë, rreth 106 milionë dollarë, për realizimin e projektit dhe aktualisht po zhvillon negociata me partnerë të sektorit privat që do të ndërtojnë dhe operojnë objektin.
Raundi i parë i programit të Bashkimit Evropian parashikon përzgjedhjen e shtatë gigafabrikave të inteligjencës artificiale. Kontratat pritet të nënshkruhen në fillim të vitit 2027, ndërsa objektet planifikohet të hyjnë në funksion gjatë vitit 2028.
Standerski bëri të ditur gjithashtu se Polonia po përgatit një marrëveshje bashkëpunimi me Republikën Çeke për këtë projekt, ndërsa ka marrë mbështetje edhe nga Lituania. Sipas tij, bisedimet me shtete të tjera anëtare të Bashkimit Evropian janë ende në zhvillim.
Nisma për ndërtimin e gigafabrikave të inteligjencës artificiale është pjesë e përpjekjeve të BE-së për të forcuar kapacitetet evropiane në zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe për të rritur konkurrueshmërinë teknologjike përballë Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.


