Begaj: Siria mbështeti shtetin e Kosovës dhe paqen e stabilitetin në Ballkan
Presidenti i vendit, Bajram Begaj, përshëndeti sot njohjen zyrtarisht të pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës nga Republika Arabe e Sirisë.
Sipas Begajt me këtë vendim, Siria mbështeti shtetin e Kosovës dhe paqen e stabilitetin në Ballkan.
“Faleminderit të gjithë atyre që e mundësuan këtë njohje”, shkruan Begaj në një postim në rrjetet sociale.
Marrëveshja për njohjen e pavarësisë së Kosovës u nënshkrua sot në Riad dhe sipas presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani “u bë e mundur me mbështetjen e Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud”.
Njohja nga Siria është e treta këtë vit për Kosovën, pas njohjes nga dy shtetet afrikane, Sudani dhe Kenia. Para tyre, shteti i fundit që e njohu pavarësinë e Kosovës ishte Izraeli në vitin 2021. Siria është bërë tani shteti i 120-të që e njeh Kosovën.







