×
Sunday, October 12, 2025

Begaj: Ndeshje që do mbahet mend gjatë

October 11, 2025


Kombëtarja shqiptare e futbollit ka fituar 0-1 mbrëmjen e sotme ndaj Serbisë në stadiumin “Gradski stadion Dubočica”, në Leskovac, sfidë kjo e vlefshme për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës.

Fitorja e kuqezinjve erdhi pas golit të shënuar nga sulmuesi Rey Manaj në minutën e fundit të pjesës së parë.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ndau në rrjetet sociale emocionet e golit të Rey Manaj, duke uruar fitoren e kuqezinjve.

Begaj theksoi se, ekipi ynë kombëtar solli sonte gëzim dhe krenari në çdo zemër shqiptare.

“Shqipëri – Serbi 1 : 0 Ekipi ynë kombëtar solli sonte gëzim dhe krenari në çdo zemër shqiptare!  Një ndeshje që do të mbahet mend gjatë, fitorja e flamurit kuqezi”, shkroi Begaj.

Shqipëria renditet e dyta në grupin K të eliminatoreve të Botërorit 2026 me 11 pikë pas 6 ndeshjeve, ndërsa Serbia renditet e treta me 7 pikë pas 5 ndeshjeve.

Grupi kryesohet nga Anglia me 15 pikë pas 5 ndeshjeve. Ekipi i renditur i dyti në grup shkon në “play off”-in për Botërorin 2026.

Fitorja në këtë ndeshje shënon një hap të madh drejt kualifikimit për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA-Kanada dhe Meksikë.




Comments are closed.