×
Sunday, March 7, 2021

BE-ja ende ka komentuar aktakuzat ndaj liderëve politikë në Kosovë

November 5, 2020

Bashkimi Evropian ende nuk komenton zhvillimet e fundit në Kosovë lidhur me njoftimet për konfirmimin e aktakuzave ndaj disa liderëve të Kosovës dhe efektin që këto zhvillime mund të kenë në dialogun i cili me lehtësimin e BE-së po zhvillohet në Bruksel.

“E gjithë kjo është bërë e ditur vëtëm para pak çastesh. Sa i përket rasteve individuale siç e dini ne gjithmonë jemi përmbajtur nga komentimi i tyre si dhe nga komentimi i veprimeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi më 5 nëntor njoftoi se Dhomat e Specializuara në Hagë, i kanë konfirmuar aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ai tha se për shkak se nuk dëshiron të shkojë para Dhomave të Specializuara si president i Kosovës, ai jep dorëheqje nga kjo pozitë.

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë konfirmuar aktakuzën edhe kundër kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Lajmin e konfirmoi vetë Veseli përmes një deklarate për opinion, ku po ashtu njoftoi se ka bërë aranzhimet e nevojshme për të udhëtuar vullnetarisht drejt Hagës në mënyrë që t’iu përgjigjet këtyre akuzave. Ai tha se do të udhëtojë këtë mëngjes drejt Hagës.

Konfirmimi i aktakuzës ndaj Thaçit dhe Veselit, pason arrestimin e djeshëm (4 nëntor) të ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi. Të mërkurën, Dhomat e Specializuara në Hagë kanë konfirmuar aktakuzën edhe kundër shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Të gjithë të lartëpërmendurit kanë qenë udhëheqës të lartë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Por, gjithsesi në kemi marrë në dijeni njoftimet e fundit dhe vazhdojmë të monitorojmë zhvillimet në Kosovë lidhur me këtë dhe do të njoftojmë për reagimet tona më substanciale më vonë”, ka thënë Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë.

Bashkimi Evropian vazhdimisht ka ftuar të gjithë në rajon që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë dhe të respektojnë pavarësinë e tyre.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për