×
Monday, May 25, 2026

BE do të ndalojë importet e çelikut nga Rusia dhe eksportet e mallrave luksoze në Moskë

March 13, 2022


Bashkimi Europian do të pezullojë trajtimin e privilegjuar tregtar dhe ekonomik të Moskës, do të godasë përdorimin e saj të kripto-aseteve dhe do të ndalojë eksportet në Rusi të mallrave luksoze të BE-së dhe importet e mallrave të hekurit dhe çelikut, tha kreu i Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Masat përbëjnë një grup të katërt sanksionesh kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë muajin e kaluar, të koordinuara me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të G7.

“Nesër, ne do të marrim një paketë të katërt masash për të izoluar më tej Rusinë dhe për të shteruar burimet që ajo përdor për të financuar këtë luftë barbare”, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Së bashku me aleatët e tjerë perëndimorë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, blloku do të revokojë statusin tregtar të “kombit më të favorizuar” të Rusisë. Kjo do t’i hapte derën bllokut për ndalimin ose vendosjen e tarifave ndëshkuese ndaj mallrave ruse dhe vendosjen e Rusisë në të njëjtin nivel me Korenë e Veriut ose Iranin.

Si hap i parë, BE-ja do të ndalojë importet e mallrave të sektorit të hekurit dhe çelikut.

Von der Leyen tha në një deklaratë se BE-ja po punonte për të pezulluar të drejtat e anëtarësimit të Rusisë në institucionet kryesore shumëpalëshe, duke përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

“Ne do të sigurojmë që Rusia të mos marrë financime, kredi apo ndonjë përfitim tjetër nga këto institucione”, tha von der Leyen. Reuters javën e kaluar raportoi ekskluzivisht për planet e BE-së për t’i hequr Rusisë të drejtat e anëtarësimit në FMN.

Aleatët e G7 do të kërkojnë javën e ardhshme të koordinojnë shënjestrimin e “miqve” të Putinit dhe do të përpiqen të sigurojnë që Rusia dhe elitat e saj të mos përdorin kripto-asetet për të anashkaluar sanksionet.

Kryediplomati i BE-së Josep Borrell shtoi më vonë se ai po parashtronte propozime për futjen në listën e zezë të më shumë oligarkëve, biznesmenëve dhe kompanive ruse. BE ka goditur tashmë dhjetëra me ndalime udhëtimi dhe ngrirje të aseteve.

Sanksionet e reja do të godasin njerëzit aktivë në industrinë e çelikut, tha Borrell, dhe të tjerët që ofrojnë shërbime financiare, produkte ushtarake dhe teknologji për shtetin rus.

“Me këto sanksione, ne do të vazhdojmë të ndjekim oligarkët, elitat e lidhura me regjimin, familjet e tyre dhe njerëzit e shquar të biznesit, të cilët janë të përfshirë në sektorët ekonomikë duke siguruar një burim të konsiderueshëm të ardhurash për regjimin,” tha Borrell pa sqaruar se kur listimet mund të miratohen.

Zyrtarët e BE-së nuk pranuan të komentojnë nëse pronari i klubit të futbollit Chelsea, Roman Abramovich ishte në mesin e njerëzve që mund të listoheshin. Britania ngriu asetet e tij të enjten.

Bashkimi Evropian në mënyrë specifike do të ndalojë eksportet në Rusi të mallrave luksoze të BE-së, të dizajnuara si një goditje për elitat e Rusisë.

Së fundi, blloku do të ndalojë investimet e reja evropiane në sektorin energjetik të Rusisë.

“Ky ndalim do të mbulojë të gjitha investimet, transferimet e teknologjisë, shërbimet financiare, etj. për eksplorimin dhe prodhimin e energjisë – dhe kështu do të ketë një ndikim të madh te Putini”, tha von der Leyen.

Importet e mallrave të BE-së nga Rusia arritën në 145 miliardë euro në vitin 2019, sipas zyrës së statistikave të BE-së, Eurostat, nga të cilat 101 miliardë euro ishin për naftë dhe gaz.




Comments are closed.