‘Bashkë për Shqipërinë’/ BE prezanton programin për Konferencën e Donatorëve
Ashtu siç është njoftuar javë më parë nga Kryeministri Edi Rama, ditën e hënë me datë 17 janar 2020 në Bruksel do të zhvillohet Konferenca e Donatorëve për Shqipërinë pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit të vitit të kaluar ku humbën jetën 51 persona dhe dëmët materiale ishin të shumta. Vetëm pak ditë më parë në një Konferencë të përbashkët me Ambasadorin e BE-së në Tiranë, Miinistri Blendi Çuçi deklaroi se “ekspertet kanë vlerësuar se dëmet në banesat e verifikuara shkojnë në 985 mln euro”. Për të përmbushur të gjitha nevojat dhe për të adresuar çdo problematikë, si dhe rreziqet e katastrofave natyrore në të ardhmen, kërkohet një mobilizim i përbashkët i burimeve financiare dhe Ministri ashtu si edhe kryeministri Rama janë shpresëplotë që do të mblidhen fornde të konsiderueshme në Konferencën e donatorëve.
Ditën e sotme zëdhënësja e Komisionit Europian, Dana Spinant e cila si çdo të premte prezantoi axhendën e Presidentes së Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, për javën e ardhshme, ndër të tjera ofroi detaje në lidhje me Konferencën e donatorëve ‘Bashkë për Shqipërinë’. Kjo Konferencë do të zhvillohet në ndërtesën Charlamagne të Komisionit Europian dhe do të fillojë me nënshkrimin nga ana Presidentes së Komisionit Europian dhe kryeministri Edi Rama të programit për mbështetjen e Shqipërisë lidhur me rindërtimin me një vlerë prej 15 milionë euro. Më pas do jetë Von der Leyen së bashku me presidentin e Këshillit Europian Charles Michel dhe Kryeministrin Edi Rama që do të hapë konferencën e donatorëve në 14.30.
“Komisioneri për Zgjerimin Olivér Várhelyi do të hapë dhe mbyllë sesionin e angazhimit të donatorëve në këtë konferencë, ndërkohë që komisioneri Janez Lenarčič do të bëjë vlerësimin e nevojave lidhur me dëmet e tërmetit.” tha ndër të tjera Dana Spinant.
Mësohet që në Konferencë pritet që të marrin pjesë mbi 100 shtete si dhe organizata të rëndësishme financiare si Banka Botërore me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizata të tjera të përfshira në situata të katastrofave natyrore.
Eunews.al