Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, ka komentuar protestat e fundit në vend, duke i cilësuar ato një shprehje demokratike dhe të drejtë të qytetarëve, por ka paralajmëruar për praninë e elementëve antisemitikë që, sipas saj, mund të dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.
Në një intervistë për emisionin “Albania NewsCast”, Peleg theksoi se manifestimet dhe shprehja e mendimit janë pjesë e demokracisë, por bëri thirrje që të tregohet kujdes kur protestat përmbajnë mesazhe që mund të perceptohen si antisemitike.
Sipas diplomates, skena të tilla nuk dëmtojnë Izraelin, por Shqipërinë dhe reputacionin që vendi ka krijuar ndër vite si një shoqëri e karakterizuar nga toleranca fetare dhe mikpritja.
“Aseti më i mirë i Shqipërisë janë njerëzit e saj dhe DNA-ja e popullit shqiptar: toleranca, mikpritja dhe mirësjellja. Shqiptarët janë krenarë për historinë tonë të përbashkët dhe shpëtimin e hebrenjve”, deklaroi Peleg.
Ambasadorja shtoi se pamje të caktuara nga protestat mund të ngrenë pikëpyetje jashtë vendit për këtë traditë.
“Kur njerëzit shohin skena të tilla, pyesin ku mbeti kjo tolerancë. Nëse një izraelit apo hebre nuk ndihet i sigurt të vijë këtu, kjo dëmton imazhin e Shqipërisë, jo të Izraelit”, tha ajo.
Megjithatë, Peleg nënvizoi se bëhet fjalë për një grup shumë të vogël individësh dhe se këto raste nuk përfaqësojnë qëndrimin e përgjithshëm të shqiptarëve. Ajo ritheksoi se nuk ka dyshime për frymën miqësore dhe tolerante të shoqërisë shqiptare.


