Përplasje Turqi-Izrael për Sirinë, Katz paralajmëron Erdoganin: Mos e vini në provë Izraelin

20 Aug 2026 11:54
Shpërndaje:

Tensionet mes Turqisë dhe Izraelit janë përshkallëzuar për shkak të zhvillimeve në Siri, pas akuzave të ndërsjella për praninë ushtarake turke dhe sulmeve izraelite ndaj një baze ajrore siriane pranë kufirit me Turqinë.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, lëshoi një paralajmërim të drejtpërdrejtë ndaj presidentit turk Rexhep Tayyip Erdogan, duke e akuzuar atë se po e “zvarrit Turqinë në aventura të rrezikshme në Siri”.

Përmes një postimi në X, Katz deklaroi se Izraeli nuk do të lejojë asnjë forcë apo entitet në Siri të përbëjë kërcënim për sigurinë e tij.

Reklamë Ola

“Do të ishte më mirë që Erdogani të vazhdonte të mbante fjalime boshe dhe plot fantazi kundër Izraelit në parlamentin turk dhe të mos vinte në provë vendosmërinë e Izraelit për të mbrojtur veten”, deklaroi Katz.

Reagimi vjen pasi Izraeli bombardoi bazën ajrore Abu Duhur në Siri dhe pretendoi se autoritetet siriane ishin pranë lejimit të vendosjes së trupave turke në këtë bazë.

Reklamë InterMedika

Ankaraja i ka hedhur poshtë kategorikisht pretendimet, duke i cilësuar “akuza të pabaza” lidhur me praninë e saj ushtarake në Siri.

Edhe ministri i Jashtëm sirian, Assad al-Shaibani, mohoi se ekzistonte një plan për vendosjen e forcave turke në bazën e goditur nga Izraeli. Ai deklaroi se Damasku e kishte informuar Tel Avivin për situatën në bazë përpara sulmit.

“Nuk kishte asnjë prani ushtarake turke në bazë në asnjë kuptim që do të justifikonte një interpretim të tillë. Baza ishte, në fakt, kryesisht bosh”, deklaroi Shaibani.

Ai pranoi megjithatë se oficerë të ushtrisë turke kishin vizituar Abu Duhur disa ditë përpara bombardimeve. Sipas tij, vizita ishte pjesë e “bashkëpunimit të vazhdueshëm ushtarak në fushat e trajnimit dhe shkëmbimit të ekspertizës”.

Përplasja e fundit shton tensionet mes Ankarasë dhe Tel Avivit, ndërsa prania dhe ndikimi i Turqisë në Siri po kthehen në një tjetër pikë të fortë mosmarrëveshjeje mes dy vendeve.