Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe njëherësh Drejtues Politik për Qarkun e Tiranës, Taulant Balla, ka reaguar ashpër për djegien e mbetjeve në hyrje të qytetit të Kavajës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Balla ngre shqetësimin se, ndërsa në disa zona të vendit vijon përballja me zjarret, në Kavajë mbetjet po digjen në mënyrë të pakontrolluar, duke krijuar ndotje të ajrit dhe rrezik për përhapjen e flakëve.
Sipas Ballës, mbetjet transportohen me mjete nga zona të ndryshme dhe digjen pranë Mbikalimit të Spitalit, një prej hyrjeve të qytetit.
“Jo vetëm që po ndotet mjedisi me tymin dhe ajrin e rëndë, nga gazrat që lëshohen, por kjo çmenduri rrezikon përhapjen e zjarreve në qytet dhe fushat bujqësore përreth”, shprehet Balla.
Ai kërkon ndërhyrjen e Policisë së Shtetit dhe IKMT-së për ndalimin e menjëhershëm të kësaj praktike, duke e cilësuar atë si krim mjedisor dhe rrezik serioz për zjarre.
Reagimi i Ballës vjen në një periudhë kur vendi po përballet me vatra të shumta zjarri dhe autoritetet kanë shtuar thirrjet për shmangien e çdo veprimi që mund të favorizojë përhapjen e flakëve.


