Dan Greaney, një prej shkrimtarëve të serialit të famshëm “The Simpsons”, ka njoftuar se do të kandidojë për president të Shteteve të Bashkuara në zgjedhjet e vitit 2028.
Greaney njihet edhe si autori i episodit “Bart to the Future”, të transmetuar në vitin 2000, ku përmendej një presidencë e Donald Trump. Në episod, Lisa Simpson, tashmë presidente e SHBA-së, flet për një “krizë të madhe buxhetore” të trashëguar nga Presidenti Trump. Episodi u transmetua 16 vjet përpara se Trump të fitonte zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Në një intervistë për Reuters, Greaney deklaroi se kandidatura e tij synon ta rikthejë Amerikën te ato që ai i konsideron vlerat themelore të vendit: barazia, demokracia, sundimi i ligjit dhe një qeverisje në shërbim të qytetarëve.
“Dua ta kthej Amerikën te vlerat themelore që besoj se i përfaqëson Amerika, nga të cilat jemi larguar”, deklaroi ai, duke theksuar se e merr seriozisht kandidaturën.
Shkrimtari pranoi se shanset për të arritur në Shtëpinë e Bardhë janë të vogla, por tha se vendosi të përfshihej në politikë pasi pa drejtues të kompanive të mëdha teknologjike dhe miliarderë në mbështetje të Trump. Sipas tij, alternativa ishte të përpiqej të ndërhynte ose të qëndronte pasiv përballë zhvillimeve politike në vend.
Greaney ka publikuar edhe disa nga propozimet kryesore të platformës së tij. Ai mbështet zgjerimin e Gjykatës Supreme nga nëntë në 13 anëtarë, kufizimin e ndikimit të parave në politikë, zgjerimin e kujdesit shëndetësor publik dhe rritjen e mundësive për strehim të përballueshëm.
Në programin e tij përfshihen gjithashtu mbrojtja e së drejtës së abortit, forcimi i legjislacionit për armët dhe një program ekonomik në shkallë të gjerë. Greaney thotë se objektivi i tij është “rindërtimi” i demokracisë dhe institucioneve amerikane në mënyrë që ato të funksionojnë për të gjithë qytetarët.
Kandidatura e tij për vitin 2028 sjell kështu në politikën amerikane një prej autorëve të serialit që prej dekadash ka satirizuar pikërisht politikën dhe shoqërinë amerikane.


