Kuvendi 32 rekomandime për SPAK-un: Rishikim të paraburgimit dhe më shumë fokus te konfiskimi i pasurive

18 Aug 2026 22:39
Shpërndaje:

Kuvendi i Shqipërisë i ka kërkuar SPAK-ut që brenda 23 gushtit të hartojë një plan veprimi për zbatimin e 32 rekomandimeve të përcaktuara për vitin 2026. Rezoluta, e cila mban firmën e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, përfshin kërkesa që lidhen me masat e sigurimit personal, hetimet financiare, konfiskimin e pasurive, korrupsionin e nivelit të lartë dhe forcimin e kapaciteteve të SPAK-ut.

Një prej pikave të rëndësishme të dokumentit lidhet me praktikën e paraburgimit. Kuvendi kërkon nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rishikimin e përdorimit të masave të sigurimit personal dhe shtimin e masave alternative, në përputhje me standardet europiane për të drejtat e njeriut.

Sipas rezolutës, SPAK duhet të analizojë çdo katër muaj kohëzgjatjen e paraburgimit dhe raportin e saj me dënimet përfundimtare.

Reklamë Ola

“Kuvendi rekomandon për vitin 2026 analizimin çdo 4 muaj të kohëzgjatjes së paraburgimit dhe raportit të tij me dënimet përfundimtare, me qëllim evidentimin e rasteve kur koha e qëndrimit në paraburgim afrohet ose mbulon në mënyrë substanciale dënimin përfundimtar, si dhe marrjen e masave për shmangien e kësaj praktike”, thuhet në dokument.

Kërkohet reduktimi i dosjeve të mbartura

Reklamë InterMedika

Një tjetër çështje që evidentohet në rezolutë është stoku i procedimeve të mbartura. Kuvendi kërkon reduktimin e numrit të çështjeve të pazgjidhura dhe përmirësimin e cilësisë së dosjeve që dërgohen për gjykim, veçanërisht sa i përket standardeve të provueshmërisë.

Vëmendje e posaçme i kushtohet gjithashtu forcimit të hetimeve financiare dhe pasurore paralele.

Kuvendi kërkon që SPAK të rrisë fokusin te konfiskimi i pasurive në çështjet e korrupsionit, veçanërisht kur bëhet fjalë për nivelet e larta të administratës publike. Synimi është që hetimet të mos përqendrohen vetëm te përgjegjësia penale e personave të përfshirë, por edhe te goditja e përfitimeve ekonomike të krijuara në mënyrë të paligjshme.

Në fokus zyrtarët dhe ish-zyrtarët e lartë

Në rezolutë kërkohet që gjatë vitit 2026 të zhvillohen analiza periodike mbi efektivitetin e ndjekjes penale në çështjet ku përfshihen zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë.

Vlerësimi, sipas Kuvendit, nuk duhet të mbështetet vetëm në numrin e procedimeve penale apo personave të dërguar për gjykim, por edhe në rezultatet konkrete të konfiskimit të pasurive.

“Kuvendi rekomandon për vitin 2026 zhvillimin e analizave periodike për efektivitetin e ndjekjes penale në çështjet ku përfshihen zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë, përfshirë jo vetëm numrin e procedimeve dhe personave të dërguar në gjykatë, por edhe shkallën e konfiskimit të pasurive”, thuhet në rezolutë.

SPAK-ut i kërkohet gjithashtu të konsolidojë rezultatet në hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, me objektiv rritjen e numrit të procedimeve që përfundojnë me vendime gjyqësore të formës së prerë.

Prioritet i veçantë kërkohet t’u jepet korrupsionit të nivelit të lartë, pastrimit të parave, trafikimit të narkotikëve dhe veprave penale të kryera nga grupet e strukturuara kriminale.

Më shumë hetues financiarë dhe efektivë të BKH-së

Kuvendi kërkon edhe përshpejtimin e rekrutimit të hetuesve financiarë, hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerëve të policisë gjyqësore.

Sipas rekomandimeve, forcimi i burimeve njerëzore duhet të shoqërohet me një shpërndarje më të balancuar të ngarkesës së punës, me qëllim rritjen e efikasitetit të hetimeve.

Një tjetër pikë lidhet me bashkëpunimin ndërkombëtar. SPAK-ut i kërkohet ta thellojë këtë bashkëpunim, ndërsa njëkohësisht të avancojë Sistemin Elektronik të Menaxhimit të Çështjeve. Ky sistem synon të përmirësojë administrimin e dosjeve dhe të forcojë transparencën përmes raportimit statistikor në kohë reale.

Kuvendi kërkon analizë të procedurës për kreun e BKH-së

Në listën e 32 rekomandimeve përfshihet edhe procesi i përzgjedhjes së drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Kuvendi i kërkon SPAK-ut që, në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Europian, të analizojë nevojën për rishikimin e rregullave dhe procedurave që lidhen me emërimin e drejtorit të BKH-së.

Objektivi është që procedurat e ardhshme të jenë më të qarta, të hapura dhe konkurruese, si dhe të shmangen vonesat në procesin e emërimit.

SPAK duhet tashmë të hartojë planin e veprimit për mënyrën se si do të adresojë rekomandimet e Kuvendit, me afat deri më 23 gusht.