Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar pas ngjarjes në Sarandë, ku shefi i Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë, nënkomisari Mateo Bakalli, u dhunua nga disa persona në një klub nate.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lamallari theksoi rëndësinë e respektimit të ligjit dhe mbrojtjes së punonjësve të Policisë së Shtetit.
“Balanca mes të drejtave të njeriut dhe rendit ligjor vlen për qytetarët dhe mbron shoqërinë”, shkruan ministri.
Ai paralajmëroi se ndaj personave që sfidojnë ligjin dhe ushtrojnë dhunë ndaj punonjësve të policisë do të ketë reagim të fortë institucional.
“Ata që sfidojnë ligjin dhe linçojnë shërbëtorët e tij, meritojnë përgjigjen më shembullore nga Policia e Shtetit”, deklaroi Lamallari.
Për ngjarjen në Sarandë janë arrestuar gjashtë persona, mes tyre edhe administratori i lokalit ku ndodhi konflikti, ndërsa një person tjetër është shpallur në kërkim.


