Shqipëria firmos në Ankara marrëveshjen për krijimin e Bankës së Mbrojtjes së NATO-s
Shqipëria do të jetë një nga 10 vendet themeluese që do të firmosin marrëveshjen për krijimin e Bankës së Mbrojtjes, një mekanizëm i ri financiar që synon të mbështesë investimet në industrinë e mbrojtjes, teknologjitë ushtarake dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendeve pjesëmarrëse.
Firmosja e marrëveshjes do të zhvillohet më 7 korrik në Ankara, në kuadër të samitit të NATO-s, dhe konsiderohet një nga nismat më të rëndësishme të viteve të fundit në fushën e sigurisë euroatlantike.
Sipas gazetares së RTSH-së, Denada Shkodrani, Banka e Mbrojtjes do të krijojë një mekanizëm të ri financimi për projekte strategjike në sektorin e mbrojtjes, duke përfshirë zhvillimin e teknologjive ushtarake, prodhimin e pajisjeve, inovacionin dhe modernizimin e forcave të armatosura të vendeve anëtare.
Në samitin e Ankarasë, kryeministri Edi Rama merr pjesë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, ministri i Mbrojtjes, drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror, si dhe drejtuesi i kompanisë shtetërore të prodhimit të armëve KAYO.
Pjesëmarrja e Shqipërisë si vend themelues i Bankës së Mbrojtjes vjen në një periudhë kur vendi ka rritur investimet dhe angazhimin në sektorin e mbrojtjes, ndërsa ka shprehur edhe ambicien për të pritur Samitin e NATO-s në vitin 2027.
Përveç krijimit të Bankës së Mbrojtjes, liderët e 32 vendeve anëtare të NATO-s do të diskutojnë rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen, mbështetjen afatgjatë për Ukrainën, forcimin e krahut lindor të Aleancës, zhvillimin e teknologjive të reja ushtarake dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e inovacionit.
Në samit marrin pjesë gjithashtu edhe përfaqësues të vendeve partnere të NATO-s, përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë dhe Zelandën e Re.







