Starmer: BM-ja rrit shpenzimet e mbrojtjes në gati 80 miliardë paund deri në 2029
Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi sot se qeveria e tij po realizon “rritjen më të madhe të qëndrueshme” të shpenzimeve të mbrojtjes që nga vitet ’80, duke prezantuar një plan të ri investimesh ushtarake me vlerë të lartë strategjike dhe ekonomike, raportoi BBC.
Sipas Starmer, fondet e mbrojtjes do të rriten me 15 miliardë paund shtesë, duke vendosur një rekord të ri për buxhetin ushtarak të vendit.
Ai tha se shpenzimet vjetore, të cilat nën qeverinë e mëparshme ishin rreth 54 miliardë paund, do të rriten në “gati 80 miliardë paund” deri në vitin 2029. Kjo përfaqëson një rritje reale prej 27%, sipas tij.
Duke folur për angazhimet ndërkombëtare, Starmer rikujtoi premtimin në samitin e fundit të NATO-s për të shpenzuar 5% të PBB-së, për “siguri më të gjerë”, përfshirë energjinë dhe infrastrukturën kritike.
Ai tha se plani i ri i investimeve e çon Britaninë e Madhe në 4,2% të këtij objektivi.
Kryeministri britanik theksoi se shpenzimet ushtarake nuk duhet të shihen si një “gropë pa fund”, por si një fushë që kërkon efikasitet dhe modernizim.
Modernizim i thellë i ushtrisë dhe teknologjisë ushtarake
Starmer prezantoi planin, si një transformim brezash për forcat e armatosura britanike, i bazuar në mësimet e luftës në Ukrainë.
Ai njoftoi investime mbi 5 miliardë paund në teknologjinë e dronëve, që përbën investimin më të madh ndonjëherë të BM-së në këtë fushë.
Plani parashikon gjithashtu krijimin e një “marine hibride”, ku anijet luftarake do të shoqërohen nga mjete, pa ekuipazh nën dhe mbi ujë.
Forcat ajrore do të modernizohen me avionët “Typhoon”, që do të operojnë së bashku me dronë autonomë, ndërsa ushtria tokësore do të bëhet “dhjetë herë më vdekjeprurëse” përmes dronëve sulmues, raketave me rreze të gjatë dhe sistemeve kundër dronëve.
Ekonomi, vende pune dhe bashkëpunim evropian
Starmer tha se strategjia e re do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi, duke krijuar rreth 60,000 vende pune dhe duke forcuar industrinë vendase përmes parimit “mbështet industrinë britanike”.
Ai theksoi përfshirjen e start-up-eve në zinxhirin e furnizimit të mbrojtjes dhe krijimin e një fondi eksporti prej 50 miliardë paund.
Sipas tij, shpenzimet e reja do të ndihmojnë në ndërtimin e një NATO-je më evropiane, pa u shkëputur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai përmendi projekte të përbashkëta me Gjermaninë, për armë me precizion të lartë dhe me Norvegjinë, për ndërtimin e fregatave kundër nëndetëseve ruse.
Në bashkëpunim me Italinë dhe Japoninë, Britania e Madhe do të investojë 8,6 miliardë paund në programin e avionëve luftarakë të gjeneratës së ardhshme.
Gjithashtu, buxheti për modernizimin e mburojës bërthamore do të arrijë në 64 miliardë paund.
Starmer e përmbylli prezantimin duke theksuar se qëllimi i planit është “ta bëjë Britaninë e madhe më të sigurt” dhe më të përgatitur për kërcënimet e ardhshme globale.







