×
Thursday, June 25, 2026

Shefi i EULEX: Kosovës i duhen sa më shpejt institucione të reja funksionale

June 25, 2026


Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, ka vlerësuar se Kosova ka bërë përparim në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit, por ka paralajmëruar se zvarritja e krizës politike rrezikon funksionimin demokratik të vendit.

Në një intervistë për KosovaPress, në përfundim të mandatit të tij, Barbano theksoi se Kosova ka nevojë urgjente për institucione të reja funksionale, duke vlerësuar njëkohësisht procesin e fundit zgjedhor si të qetë dhe demokratik.

“Nevoja për një qeveri të plotë dhe funksionale është garanci për çdo përparim të mëtejshëm në Kosovë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi dhe të formohet qeveria”, u shpreh ai.

Sipas Barbano, zgjatja e krizës politike pa institucione plotësisht funksionale rrit rrezikun e mospërputhjeve institucionale dhe mund të ngadalësojë rrugën evropiane të Kosovës.

Duke komentuar iniciativën për krijimin e Xhandarmërisë së Kosovës, ai tha se është ende herët për të dhënë vlerësime përfundimtare, por theksoi se çdo strukturë e re duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe të koordinohet me Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe EULEX-in.

Sa i përket situatës në veri, Barbano vlerësoi se gjendja është përmirësuar ndjeshëm krahasuar me periudhën pas sulmit në Banjskë, megjithëse mbetet ende e brishtë.

Në përfundim të mandatit të tij, ai nënvizoi se prania e EULEX-it në Kosovë mbështetet si nga Bashkimi Evropian ashtu edhe nga institucionet kosovare.

“Për sa kohë që autoritetet e Kosovës e kërkojnë praninë dhe mbështetjen tonë, ne do të jemi të gatshëm të vazhdojmë ta ofrojmë atë”, përfundoi Barbano.




Comments are closed.