Rama në Konferencën për Ukrainën: Rindërtimi nuk mund të presë fundin e luftës
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës, ku u mblodhën krerë shtetesh dhe qeverish, institucione financiare ndërkombëtare, përfaqësues të biznesit dhe organizatave të shoqërisë civile për të diskutuar mbështetjen ndaj Ukrainës.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se rindërtimi i Ukrainës duhet të ecë paralelisht me mbrojtjen e vendit dhe nuk mund të shtyhet deri në përfundimin e luftës.
“Nëse rindërtimi pret derisa të bjerë plumbi i fundit, atëherë do të jetë tashmë tepër vonë. Pikërisht për këtë arsye jemi sot këtu”, u shpreh kryeministri.
Sipas Ramës, Ukraina po rindërtohet ndërkohë që vazhdon të mbrojë lirinë e saj, ndërsa Shqipëria mbështet bindjen se paqja duhet të sigurohet me të njëjtën vendosmëri me të cilën po mbrohet vendi.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu se rindërtimi i Ukrainës dhe integrimi europian i Ballkanit Perëndimor janë procese që përforcojnë njëri-tjetrin, pasi të dyja synojnë një Evropë më të plotë, më të qëndrueshme dhe më të sigurt.
“Rindërtimi nuk është bamirësi, por strategji. Nuk bëhet fjalë vetëm për të riparuar atë që është shkatërruar, por për të ndërtuar një Ukrainë demokratike, europiane, moderne dhe të qëndrueshme”, deklaroi ai.
Në përfundim të fjalës së tij, Rama u shpreh se “Ukraina po rindërton guximin e Evropës, ndërsa Evropa duhet të ndihmojë në rindërtimin e së ardhmes së Ukrainës”.







