Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar do të zhvillojnë më 22 korrik në Bruksel samitin e tyre të dytë pas Brexit-it, në kuadër të përpjekjeve për forcimin e bashkëpunimit mes dy palëve në një periudhë sfidash të përbashkëta ekonomike dhe të sigurisë.
Lajmi u bë i ditur nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe kryeministri britanik, Keir Starmer, pas një takimi në margjinat e samitit të G7 në Evian të Francës.
Ky takim pason samitin e parë të planifikuar në Londër në maj 2025 dhe konsiderohet një tjetër hap në procesin e rindërtimit të marrëdhënieve mes Brukselit dhe Londrës pas largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian në vitin 2020.
“Bashkëpunimi i ngushtë midis BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar është thelbësor për sigurinë tonë të përbashkët evropiane, qëndrueshmërinë tonë dhe prosperitetin tonë”, shkroi Antonio Costa në rrjetin social X, duke shtuar se të dyja palët po punojnë për ta bërë samitin një sukses.
Nga ana e tij, kryeministri britanik Keir Starmer theksoi angazhimin e qeverisë së tij për të rivendosur marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.
“Qeveria ime laburiste është e përkushtuar për të rivendosur marrëdhënien tonë dhe për ta rikthyer Britaninë në zemër të Evropës. Së bashku do të trajtojmë koston e jetesës, do të rrisim punësimin dhe do të krijojmë mundësi për të rinjtë”, deklaroi Starmer.
Megjithatë, Londra ka bërë të qartë se nuk synon rikthimin në tregun e vetëm evropian, në bashkimin doganor apo në lirinë e lëvizjes, duke ruajtur disa nga vijat e kuqe të vendosura pas Brexit-it.
Pavarësisht dëshirës për bashkëpunim më të ngushtë, negociatat mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian mbeten komplekse, me disa çështje ende të hapura që vazhdojnë të krijojnë tensione në marrëdhëniet mes dy palëve.