×
Saturday, May 30, 2026

Kryeministri libanez bën thirrje për armëpushim mes përshkallëzimit të sulmeve izraelite

May 30, 2026


Kryeministri i Libanit, Nawaf Salam, dënoi atë që e cilësoi si një “përshkallëzim të rrezikshëm dhe të pashembullt” nga Izraeli, ndërsa operacionet ushtarake izraelite në jug të vendit janë intensifikuar ditët e fundit.

Në një fjalim televiziv drejtuar qytetarëve, Salam bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe rritje të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.

“Në dritën e përshkallëzimit të rrezikshëm dhe të pashembullt izraelit të ditëve të fundit, është e nevojshme të intensifikohen përpjekjet politike dhe diplomatike për të arritur një armëpushim të shpejtë dhe të vërtetë”, deklaroi ai.

Kreu i qeverisë libaneze akuzoi Izraelin për ndjekjen e një politike të “tokës së djegur” dhe “ndëshkimit kolektiv”, duke pretenduar se sulmet po shkaktojnë shkatërrim të gjerë në qytete dhe fshatra, si dhe po detyrojnë mijëra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre.

Salam mbrojti gjithashtu vendimin e autoriteteve libaneze për të nisur negociata me Izraelin, një proces që është kundërshtuar nga Hezbollah. Sipas tij, dialogu mbetet alternativa më pak e kushtueshme për Libanin në kushtet aktuale.

“Rezultatet nuk janë të garantuara, por kjo është rruga më pak e kushtueshme për vendin dhe popullin tonë”, u shpreh kryeministri.

Ndërkohë, delegacione ushtarake nga Libani dhe Izraeli zhvilluan të premten një takim në Uashington, në kuadër të përgatitjeve për raundin e katërt të bisedimeve që pritet të mbahet më 2 dhe 3 qershor.

Pavarësisht kontakteve diplomatike, situata në terren mbetet e tensionuar. Ushtria izraelite ka shtuar operacionet tokësore dhe ajrore në jug të Libanit, duke deklaruar se objektivi i saj kryesor është goditja dhe çarmatimi i Hezbollahut.

Deklarata e publikuar nga autoritetet amerikane pas takimit në Uashington nuk përmendi mundësinë e një armëpushimi, duke lënë të paqartë nëse negociatat do të sjellin një ulje të menjëhershme të tensioneve mes palëve.




Comments are closed.