×
Monday, May 25, 2026

Lamallari: Goditja e ekonomisë kriminale, faza e re e luftës kundër krimit në Shqipëri

May 25, 2026


Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, deklaroi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku prioritet është goditja e burimeve financiare të aktivitetit kriminal dhe rikthimi i pasurive të konfiskuara në shërbim të qytetarëve.

Gjatë fjalës së mbajtur në konferencën “Nga Konfiskimi tek e Mira Publike”, të organizuar nga AAPSK, këtë të hënë, 25 maj, Lamallari theksoi se lufta ndaj krimit nuk mund të kufizohet vetëm në arrestime apo dënime penale, por duhet të synojë drejtpërdrejt fuqinë ekonomike të organizatave kriminale.

“Sot flasim për drejtësi, për shtet dhe për besim publik. Krimi i organizuar nuk ndërton vetëm rrjete kriminale, por krijon fuqi ekonomike, korrupton dhe godet besimin e qytetarëve tek shteti”, u shpreh ai.

Ministri bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 2025 janë sekuestruar qindra pasuri me një vlerë që tejkalon 61 milionë euro, ndërsa në administrim ndodhen mijëra asete të sekuestruara dhe të konfiskuara, të cilat përbëjnë një potencial të rëndësishëm për t’u rikthyer në dobi të publikut.

Sipas tij, këto rezultate janë fryt i një bashkëpunimi të gjerë institucional, ku përfshihen Policia e Shtetit, SPAK, strukturat e hetimit financiar dhe vetë AAPSK.

Lamallari nënvizoi se sfida kryesore tashmë nuk është vetëm konfiskimi i pasurive, por mënyra efektive e përdorimit të tyre në interes të qytetarëve.

“Pasuritë e krimit nuk duhet të harrohen dhe as të degradojnë. Ato duhet të kthehen në dobi publike, në investime për qytetarët dhe në shërbim të komunitetit”, tha ai.

Ai solli shembuj konkretë të përdorimit të këtyre pasurive, duke përmendur financimin e projekteve sociale, mbështetjen për institucionet e drejtësisë, si dhe investimet në shkolla, spitale dhe qendra komunitare.

“Hapësirat që dikur simbolizonin paligjshmëri po transformohen në qendra komunitare, ambiente për fëmijët, art dhe kulturë. Ky është mesazhi më i fortë që mund të japë një shtet demokratik: pasuria e krijuar nga krimi po kthehet në vlerë për qytetarët”, theksoi ministri.

Duke u ndalur te sfidat moderne të krimit financiar, Lamallari evidentoi rritjen e përdorimit të kripto-aseteve, transfertave ndërkufitare dhe formave të sofistikuara të pastrimit të parave, duke kërkuar një qasje të re dhe më të koordinuar në nivel ndërkombëtar.

Në këtë kuadër, ai vlerësoi bashkëpunimin me Bashkimi Europian, Europol dhe Eurojust, duke theksuar se Shqipëria mbetet e angazhuar për forcimin e shtetit të së drejtës dhe përmbushjen e standardeve europiane në luftën kundër krimit të organizuar.

Në përfundim, Lamallari theksoi se një shtet i fortë nuk matet vetëm me arrestimet, por me aftësinë për t’i hequr krimit burimet e tij kryesore të fuqisë.

“Një shtet i fortë nuk është vetëm ai që arreston kriminelët. Një shtet i fortë është ai që i heq krimit pasurinë, fuqinë dhe ndikimin në shoqëri dhe ua kthen qytetarëve atë që u është marrë padrejtësisht”, përfundoi ai.




Comments are closed.