329 anëtarë të rinj i bashkohen PS në Vorë, Balla: Martesa e Shqipërisë me BE-në para 2029
Balla tallet me zgjedhjet për kreun e PD: Votoni si të doni demokratë, 100% do dalë Saliu
Në aktivitetin e anëtarësimeve të reja të Partisë Socialiste në Vorë, ku iu bashkuan forcës politike 329 anëtarë të rinj, Drejtuesi Politik i PS për qarkun e Tiranës, Taulant Balla, e vendosi theksin te objektivi i integrimit europian dhe puna organizative në terren.
Në fjalën e tij, Balla deklaroi se 35-vjetori i Partisë Socialiste përkon me një moment që ai e cilësoi historik për vendin.
“Pas pak ditësh Partia Socialiste feston 35-vjetorin, por dasma më e bukur e Partisë Socialiste është martesa me Bashkimin Europian, që mezi e presim dhe që jemi shumë të sigurt se do ta bëjmë përpara zgjedhjeve të vitit 2029”, u shpreh ai.
Duke komentuar zhvillimet në opozitë, Balla ironizoi debatet për proceset e brendshme, duke thënë se fillimisht u fol për zgjedhje dhe më pas për referendum lidhur me drejtimin politik.
Sipas tij, rezultati në kampin opozitar është i paracaktuar dhe figura e Sali Berishës mbetet e padiskutueshme pavarësisht procesit formal të votimit.
“E keni parë atë krahun e bufit? Në fillim thanë do bëjmë zgjedhje, thanë do bëjmë zgjedhje, dakord, u regjistruan, u regjistru Salianji, u regjistru Meremja, na e hoqën Meremen. Nuk na e lanë Meremen të kandidoi, edhe tani nga zgjedhjet thonë do bëjmë referendum. E duam Saliun, nuk e duam Saliun. Votoni si të doni demokratë, 100% do dalë Saliu”, tha Balla.
Më tej, Balla kërkoi më shumë angazhim nga strukturat socialiste në çdo lagje dhe komunitet, duke theksuar se mbeten ende detyra për t’u përmbushur në nivel lokal, përfshirë çështje që lidhen me ndarjen e banesave dhe projekte të tjera për qytetarët.
Në fund të fjalës, ai iu drejtua të rinjve që u anëtarësuan në Partinë Socialiste, duke deklaruar se PS ka qenë, sipas tij, forca politike që gjatë 35 viteve të ekzistencës së saj “ka qëndruar gjithmonë në krahun e duhur të historisë”.















