×
Saturday, May 23, 2026

BE i jep Shqipërisë 21 milionë euro për mbrojtjen – mbështetja arrin në 49 milionë euro

May 23, 2026


Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka njoftuar se Shqipëria ka përfituar një tjetër paketë të rëndësishme mbështetjeje nga Bashkimi Evropian për forcimin e kapaciteteve të saj ushtarake.

Në një reagim në rrjetet sociale, ai bëri të ditur se Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar paketën e tretë të asistencës për Shqipërinë në kuadër të programit European Peace Facility, me një vlerë prej 21 milionë eurosh.

Me këtë vendim, mbështetja totale e dhënë nga BE për Shqipërinë në këtë kuadër arrin në 49 milionë euro, duke dëshmuar një rritje të vazhdueshme të besimit ndaj rolit të vendit në sigurinë rajonale dhe europiane.

Paketa e re përfshin furnizimin e Forcave të Armatosura me mjete të blinduara të lehta, mjete taktike dhe inxhinierike, si dhe trajnime dhe mbështetje operacionale, me qëllim rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe përgatitjen për misione të përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë.

Ministri Nufi e cilësoi këtë mbështetje si një vlerësim konkret për seriozitetin dhe besueshmërinë e Shqipërisë, duke theksuar se vendi ynë vazhdon të luajë një rol aktiv përkrah aleatëve në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit.

Ai nënvizoi se ky vendim konfirmon angazhimin e Shqipërisë në arkitekturën e sigurisë evropiane dhe forcon më tej pozicionin e saj si një partner i qëndrueshëm dhe i besueshëm në mbrojtjen kolektive.

Kjo mbështetje vjen në një kohë kur sfidat e sigurisë në rajon dhe më gjerë kërkojnë bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet vendeve aleate, duke e bërë të domosdoshme rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe ndërveprimin ushtarak.

Investimet në modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare konsiderohen thelbësore për përmbushjen e detyrimeve në kuadër të partneriteteve ndërkombëtare dhe për garantimin e sigurisë kombëtare.




Comments are closed.