Xi Jinping: Kina dhe Rusia duhet të jenë “fortesa strategjike”
Presidenti kinez Xi Jinping deklaroi gjatë takimit me homologun rus Vladimir Putin në Pekin se Kina dhe Rusia duhet të mbeten “fortesa strategjike” për njëra-tjetrën, duke theksuar nevojën për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha nivelet.
Ai nënvizoi rëndësinë e forcimit të komunikimit politik dhe strategjik, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si inteligjenca artificiale dhe inovacioni teknologjik, duke e konsideruar këtë si një hap të domosdoshëm për zhvillimin e ardhshëm të dy vendeve.
Sipas Xi Jinping, Kina dhe Rusia duhet të luajnë rolin e “fuqive të mëdha përgjegjëse” në arenën ndërkombëtare, duke mbrojtur drejtësinë globale dhe duke kundërshtuar, sipas tij, veprimet e njëanshme që cenojnë rendin ndërkombëtar.
Pas deklaratave të liderit kinez, Vladimir Putin konfirmoi gatishmërinë e Rusisë për të vazhduar furnizimin me energji për Kinën, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe strategjik mes dy vendeve.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Kinës dhe Rusisë po thellohen gjithnjë e më shumë, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë politik dhe teknologjik.







