Donald Trump: Sulmi ndaj Iranit u shmang në minutën e fundit
Një valë e re sulmesh ndaj Iranit u shmang në momentet e fundit, deklaroi presidenti amerikan Donald Trump, duke zbuluar se Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe i kishin kërkuar të përmbahej.
“Ne ishim një orë larg sulmit”, u shpreh Donald Trump gjatë një vizite në Shtëpinë e Bardhë, ku po ndërtohet një sallë e re për evente zyrtare.
Ai deklaroi gjithashtu se pala iraniane është e gatshme për një marrëveshje, duke shtuar se shpreson që situata të mos përshkallëzohet në konflikt të hapur.
“Shpresoj se nuk do të na duhet të shkojmë në luftë, por ndoshta duhet t’u japim një goditje tjetër të madhe”, tha ai, duke paralajmëruar se zhvillimet e ardhshme do të bëhen të ditura shumë shpejt.
I pyetur për afatin që i është lënë Iranit për t’u ulur në tryezën e negociatave, Donald Trump u përgjigj se bëhet fjalë për një periudhë shumë të shkurtër, vetëm disa ditë.
“Ndoshta të premten, të shtunën, të dielën. Një kohë e kufizuar, sepse nuk mund t’i lejojmë të pajisen me një armë bërthamore”, theksoi ai.
Gjatë deklaratave të tij, presidenti amerikan u ndal edhe te projekti i ndërtimit në Shtëpinë e Bardhë, duke e përshkruar sallën e re si një strukturë me funksione mbrojtëse.
Sipas tij, objekti është projektuar për të qenë rezistent ndaj dronëve dhe raketave, si dhe për të ofruar avantazh strategjik për sigurinë.







