×
Wednesday, May 20, 2026

NATO shqyrton mision ushtarak në Ngushticën e Hormuzit

May 19, 2026


NATO po shqyrton mundësinë e dërgimit të një misioni ushtarak në Ngushticën e Hormuzit për të garantuar sigurinë e transportit detar, në një kohë kur ndërprerja e zgjatur e qarkullimit tregtar po përkeqëson krizën energjetike globale dhe po rrit presionin mbi ekonomitë perëndimore.

Sipas raportimeve të Bloomberg, diskutimet brenda Aleancës lidhen me mundësinë e ofrimit të mbështetjes ushtarake për anijet tregtare, nëse rruga strategjike nuk rihapet deri në fillim të muajit korrik. Një zyrtar i lartë i NATO-s bëri të ditur se ideja gëzon mbështetjen e disa vendeve anëtare, megjithatë ende mungon unanimiteti i nevojshëm për një vendim përfundimtar.

Një diplomat i NATO konfirmoi se disa aleatë janë në favor të një misioni për të rivendosur lundrimin në këtë korridor jetik, ndërsa të tjerë mbeten të rezervuar për shkak të rrezikut të përfshirjes më të thellë në konfliktin mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

Çështja pritet të jetë në qendër të diskutimeve në takimin e liderëve të NATO-s që do të zhvillohet në Ankara më 7-8 korrik. Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropën, Alexis Grinkevich, deklaroi se planifikimi është në fazat fillestare, duke theksuar se fillimisht kërkohet drejtim politik përpara se të kalohet në hapa konkretë.

Përfshirja e mundshme e NATO do të përbënte një ndryshim të rëndësishëm në qëndrimin e saj aktual ndaj konfliktit me Iranin. Deri më tani, Aleanca ka mbajtur një qasje të kujdesshme, duke theksuar se çdo ndërhyrje duhet të vijë vetëm pas një deeskalimi të situatës dhe në kuadër të një koalicioni më të gjerë ndërkombëtar.

Megjithatë, bllokada e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz të lëngshëm, ka ndikuar ndjeshëm në tregjet energjetike, duke rritur çmimet dhe duke përkeqësuar parashikimet ekonomike globale.

Irani e mbylli këtë rrugë strategjike pas nisjes së fushatës ushtarake nga SHBA dhe Izraeli në fund të shkurtit, duke e kthyer situatën në një nga pikat më të nxehta të tensionit ndërkombëtar.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur pakënaqësi ndaj aleatëve evropianë për mungesën e angazhimit të menjëhershëm, ndërsa Gjermania dhe vende të tjera kanë treguar kujdes për t’u përfshirë në operacione ushtarake.

Disa shtete, si Spanja, kanë kundërshtuar hapur luftën, duke refuzuar përdorimin e hapësirës ajrore dhe bazave të tyre për operacione kundër Iranit. Nga ana tjetër, një koalicion i udhëhequr nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar po punon për një plan alternativ për sigurinë e lundrimit pas një deeskalimi të mundshëm.

Megjithëse ende nuk ka një kërkesë zyrtare nga SHBA për përfshirjen e NATO-s, zhvillimet e fundit tregojnë se qëndrimet e vendeve anëtare mund të ndryshojnë nëse kriza energjetike dhe pasojat ekonomike vazhdojnë të përkeqësohen.




Comments are closed.