×
Saturday, May 9, 2026

Konflikti për tarifat: BE reagon me qetësi ndaj ultimatumit të Trump

May 9, 2026


Pas ultimatumit të ri për tarifat doganore nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian ka reaguar me qetësi, duke shmangur një përshkallëzim të tensioneve tregtare.

Komisioneri për Tregtinë, Maroš Šefčovič, u shpreh kundër një qasjeje konfrontuese ndaj SHBA-së, duke theksuar rëndësinë e respektimit të marrëveshjeve ekzistuese. Në një intervistë për ARD në Bruksel, ai deklaroi se “është shumë e rëndësishme që gjatë negociatave t’u përmbahemi marrëveshjeve që kemi arritur tashmë”, pasi kjo sjell stabilitet për të gjitha palët.

Megjithëse disa grupe në Parlamentin Evropian dhe disa shtete anëtare kërkojnë një qëndrim më të ashpër ndaj SHBA-së, Šefčovič theksoi se negociatat mes institucioneve evropiane pritet të përfundojnë në qershor dhe nuk e konsideron afatin e vendosur nga Donald Trump deri më 4 korrik si presion shtesë.

Ai bëri thirrje për një qasje pragmatike dhe racionale: “Duhet t’u përmbahemi shifrave, jo emocioneve”, duke shtuar se BE-ja synon të çojë përpara Marrëveshja e Turnberry-t 2025.

Kjo marrëveshje parashikon një tarifë maksimale prej 15% për importet nga BE-ja në SHBA, ndërsa importet amerikane drejt BE-së do të përjashtohen në masë të madhe nga tarifat. Megjithatë, ajo ende nuk ka hyrë në fuqi, për shkak të dyshimeve në Bruksel mbi besueshmërinë e SHBA-së, pas zhvillimeve të fundit politike dhe tregtare.

Šefčovič paralajmëroi gjithashtu për pasoja ekonomike, veçanërisht në Gjermani, ku sipas tij mund të rrezikohen deri në 54 mijë vende pune në industrinë e automobilave nëse marrëveshja dështon.

Ai hodhi poshtë qartë kërkesën amerikane për tarifa shtesë prej 25% për automjetet dhe kamionët, duke theksuar se BE-ja nuk do të pranojë kushte që tejkalojnë marrëveshjen ekzistuese. Ky qëndrim mbështet edhe kancelarin Friedrich Merz, i cili e ka cilësuar kërkesën amerikane si “të papranueshme”.

Në këtë klimë tensionesh tregtare, BE synon të ruajë stabilitetin ekonomik dhe të shmangë përplasjet, duke u fokusuar në arritjen e një marrëveshjeje të balancuar me SHBA-në.




Comments are closed.