Trump kritikon Italinë dhe lë të hapur zhvendosjen e trupave amerikane në Evropë
Në një bisedë telefonike me gazetën italiane Corriere della Sera, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, refuzoi të japë detaje mbi një zhvendosje të mundshme të trupave amerikane nga Gjermania drejt krahut lindor të NATO.
Megjithatë, ai konfirmoi se administrata e tij “ende po shqyrton” mundësinë e zhvendosjes së trupave edhe nga bazat në Itali, duke shtuar paqartësinë mbi praninë ushtarake amerikane në Evropë.
I pyetur për publikimin e një artikulli të vjetër të Matteo Salvini në platformën Truth Social, Trump u përgjigj shkurt: “Sepse më dukej i përshtatshëm”.
Komentet e tij u bënë edhe më të forta ndaj kryeministres italiane Giorgia Meloni. Një ditë pas vizitës në Romë të sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio, Trump deklaroi: “Italia nuk ishte aty kur kishim nevojë për të. Dhe unë kam qenë gjithmonë për Italinë, ashtu si edhe vendi im”.
Edhe kur u përmend mundësia që Italia të kontribuojë me anije çminuese pas një armëpushimi në Iran, Trump e ndërpreu duke përsëritur të njëjtën kritikë ndaj Romës.
Sa i përket zhvillimeve me Iranin, presidenti amerikan u tregua i rezervuar, duke refuzuar të komentojë mbi letrën e përgjigjes së Teheranit, e cila pritej së fundmi.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment delikat për marrëdhëniet transatlantike, duke shtuar tensionet mes Uashingtonit dhe disa aleatëve evropianë mbi çështjet e sigurisë dhe angazhimit ushtarak.







